Ministri gjerman i Ushqimit dhe Bujqësisë, Cem Özdemir, ishte në Kosovë, i shoqëruar nga homologu i tij kosovar, Faton Peci ku ndër bizneset që vizituan në disa rajone të Kosovës, ishte edhe Koperative Buqësore “Krusha”, ku shijuan ajvarin, verën kosovare dhe siç tha ministri Özdemir, “është thellësisht i i bindur që produktet që po prodhoni janë të përshtatshme, dhe se ato e kanë vendin e tyre jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë vendit”.
“Kosova me të vërtetë i takon atyre vendeve që marrin drejtimin dhe ecin përpara me transformimin dhe ne si Gjermani mbështesim çdo hap dhe punojmë shumë ngushtë së bashku, si me shtetet e Ballkanit Perëndimor, por në veçanti edhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë”, tha Özdemir.
Gjermania me atashe për Ushqimin e Bujqësinë në Ambasadën Gjermane në Shkup – përfaqësues për rajonin
Özdemir theksoi, se Gjermania dhe Kosova prej kohësh janë partnerë të besueshëm, veçanërisht në fushën e bujqësisë. “Jemi shumë të kënaqur për bashkëpunimin e suksesshëm në kuadër të Dialogut për Politikat Bujqësore. Me miratimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, Kosova është zotuar se do të vazhdojë përpara, në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së, me kalimin në një ekonomi moderne, neutrale ndaj CO2, rezistente ndaj klimës dhe efikase ndaj burimeve”, tha ministri gjerman Cem Özdemir, duke njoftuar njëkohësisht që Gjermania do ta ketë një Atashe për Ushqim dhe Bujqësi në Ambasadën Gjermane në Shkup, që do të jetë përgjegjës për politikën gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor. “Objektivi ynë është të zgjerojmë bashkëpunimin bujqësor me Ballkanin Perëndimor dhe të promovojmë mundësitë e eksportit dhe investimet e Kosovës në sektorët e bujqësisë të rajonit”, tha Ministri Özdemir.
Ministri kosovar i Bujqësisë, Faton Peci, tha se me ministrin gjerman Özdemir, ka diksutuar “për shumë çështje thelbësore rreth sektorit të bujqësisë, sigurisë ushqimore, sigurimit të ushqimit dhe thellimit të bashkëpunimit të mëtutjeshëm ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës”. “Kosova dhe Gjermania ndër vite kanë qenë dhe janë partnerë në shumë fusha e veçanërisht në bujqësi. Ekspertiza dhe përkrahja direkte e Qeverisë Gjermane por edhe përkrahja politike në arenën ndërkombëtare për qasje në mekanizmat mbështetës që ka BE në dispozicion, është e pazëvendësueshme”, tha ministri Peci.