Ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu, ka njoftuar se linja hekurudhore “Prishtinë – Aeroporti Ndërkombëtar Adem Jashari” si dhe linja R7, segmenti “Banullë – Carralevë”, po bëhen.
“Organizuar nga Sekretariati i Përhershëm i Komunitetit të Transportit, në kuadër të procesit të modernizimit të transportit në gjashtë (6) vendet e Ballkanit Perëndimor, u mbajt takimi i Këshillit Ministror, ku bashkë me ministrat e transportit nga shtetet fqinje, diskutuam progresin që është bërë në rrugë e hekurudha, lehtësimin e transportit, korridoret dhe lidhjen e shteteve të Ballkanit Perëndimor”, shkroi ai në Facebook.
“Në këtë takim të frytshëm që tregoi se është bërë shumë progres, morëm lajmin e mirë që linja hekurudhore “Prishtinë – Aeroporti Ndërkombëtar Adem Jashari” si dhe linja R7, segmenti “Banullë – Carralevë”, tashmë janë përfshirë në rrjetin e TEN-t, dhe rrjedhimisht kemi qasje në fondet e BE-së, ku prej tyre 50% janë grante për projekte hekurudhore dhe 40% për ato rrugore. Njëherit, prezantuam të arriturat tona rreth legjislacionit dhe direktivave të BE-së, progresin që është bërë në hekurudha e rrugë, e diskutuam për forma të reja të transportit, të munguar deri më tani, me kosto më të ulët dhe me ndikime sa më të vogla në mjedis”, shtoi Aliu.
Tutje ministri tha se u dakorduan që të vazhdojnë takimet koordiunese rreth synimeve afatgjata, në mënyrë që të arrihen objektivat e përcaktuara, dhe të bashkëpunojnë për qëllimet e përbashkëta.