Qeveria e Kosovës ka nisur nënshkrimin e marrëveshjeve me Shqipërinë, që ishin caktuar të nënshkruheshin më 14 qershor, në mbledhjen e dy qeverive, e cila s’ishte mbajtur.
Ministrja e Drejtësisë njoftoi se ka nënshkruar marrëveshjen për njohjen e së drejtës për ushtrimin e profesioneve të avokatit dhe ndërmjetësit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Paraprakisht, gjatë së enjtes, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se i ka nënshkruar njëanshëm të gjitha marrëveshjet.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë pasur të mbajnë mbledhje të përbashkët në Gjakovë, por kryeministri Edi Rama, e kishte anuluar atë. Rama po qëndron në Kosovë të enjten, ku zhvilloi takime me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentin Glauk Konjufca.
Ndërsa, kryeministri Kurti nuk është takuar me Ramën, me arsyetimin që takimi duhet të zhvillohej vetëm nëpërmjet dy qeverive.