Ideja e Mini-Shengenit rajonal ka qenë tema e cila ka përplasur Kosovën dhe Serbinë në kuadër të Forumit të Dubrovnikut të shtunën.
Teksa Kosova ka kundërshtuar ashpër këtë iniciativë duke e quajtur “kurth” si alternativë të Bashkimit Evropian, Serbia ka thënë se Mini-Shengeni ka të bëjë për hapje të rajonit.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schawz ka thënë se kjo iniciativë është kundër parimeve kryesore të BE-së duke shtuar se nëpërmjet një iniciative të tillë rajoni i kthehet të kaluarës, ku “njëri shtet dominon tjetrin”.
“S’ka Mini-Shengen, është fals dhe kurth”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, Sekretari i Shtetit në MPJ-në e Serbisë, Nemanja Staroviq është shprehur i befasuar me kritikat nga Kosova.
“E Kemi nisur si Republikë e Serbisë me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Definitivisht nuk është zëvendësim për integrimin në BE, por është diçka që e plotëson dhe që shkon paralelisht, duke mos pasur nevojë të presim që diçka të ndodhë”, ka thënë ai duke shtuar se edhe pse është nisur si projekt nga Beogradi, Shkupi e Prishtina “Mini-Shengeni është i hapur për të gjithë rajonin”.
Sipas tij, befasi është kundërshtimi i Kosovës pasi “vetëm 10 muaj më parë, Prishtina u zotua t’i bashkohej iniciativës nëpërmjet zotimeve në Washington”.
“Nëse problemi është tek emri, mund të ju njoftoj se do ta ndryshojmë për dy javë”, ka shtuar ai.