Minatorët e Trepçës kanë marrë vendim për të organizuar protestë, siç thuhet, paqësore për shprehjen e pakënaqësive – mosrealizimin e pagave për minatorët e Trepçës për më shumë se dy muaj.
Në njoftimin e Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës thuhet se protesta do të mbahet në Prishtinë pranë Qeverisë së Republikës së Kosovës, të enjten nga ora 12:00.
“Marshimi do të fillojë nga sheshi Zahir Pajaziti – Prishtinë, deri pranë objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kjo protestë reflekton kërkesën e vetme të minatorëve, e që është pagesa e pagave të papaguar për gati tre muaj”, thuhet në njoftim. “Ta dini që situata e minatorëve është rënduar tej mase, mosekzekutimi i pagave i ka dërguar minatorët në një situatë krize për ekzistencë, andaj si mjet për të kërkuar bukën e gojës për vete dhe familjen e tyre ka mbetur të protestuarit si mjet ligjor dhe demokratik”.





