Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës përmes një reagimi të premten mbrëma ka thënë se pagat e tyre nuk kanë dalë as pas datës 24 nëntor, duke shtuar se marrëveshja e arritur me Bordin për ndërprerjen e grevës në fillim të muajit është shkelur. S’kanë përjashtuar veprime sindikale.
Minatorët e Trepçës përfunduan grevën 10-ditore më 3 nëntor, pasi arritën marrëveshjen me Bordin, negociuar nga disa deputetë të Vetëvendosje, për plotësimin e kërkesave të tyre. Sipas marrëveshjes, pagat e minatorëve do të dilnin nga data 6 deri më 10 të muajit dhe jo më vonë, konkursi për kryeshef të shpallej brenda 10 ditësh, ndërsa për sigurimin shëndetësor do të vazhdohej të pritej.





