Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se është mirë që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla të informojë qytetarët se në veri ka objekte të rëndësishme të Republikës së Kosovës, të cilat nuk kanë as sigurim e as policë.
“Ne po shohim edhe fotografitë e ministrit Sveçla në pjesën veriore se si është në pikën kufitare 1-31 në Bërnjak apo kudo, por besoj që është mirë që ministri Sveçla të informojë qytetarët që ka objekte të rëndësishme të Republikës së Kosovës, të cilat sot nuk kanë as sigurim privat, të cilin e kanë pasur dhe janë tërhequr nga kompanitë që kanë ruajtur në atë pjesë, por as nuk ka policë të mjaftueshëm për t’i siguruar ato objekte, që janë të rëndësisë të veçantë për Republikën e Kosovës”, ka thënë Miftaraj, raporton “Betimi për Drejtësi”.





