Drejtori ekzekutiv në organizatën Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) Ehat Miftaraj, në një konferencë të thirrur për media, ka dalë me gjetjet preliminare sesi erdhi deri te vrasja e 42-vjeçares Sebahate Sopi, nga ish-burri i saj Lulzim Sopi.
Miftaraj vlerëson se Prokuroria Themelore e Prishtinës ka dështuar t’i ushtrojë kompetencat dhe përgjegjësitë e saj, për t’i ofruar siguri dhe mbrojtje gruas që u vra në lagjen “Emshir” të Prishtinës.Miftaraj thotë se Sebahate Sopi përveç që është viktimë e ish-bashkëshortit të saj, në radhë të parë është viktimë e Shtetit të Kosovës.Ai thotë se 42-vjeçarja është viktimë e neglizhencës së insitucioneve të Kosovës, përkatësisht Prokurorit të Shtetit, teksa shton se komunikata e djeshme e lëshuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës është bërë për t’i ikur përgjegjësisë.
“Sebahate Sopi fatkeqësisht është viktima e radhës së Republikës së Kosovës për shkak të neglizhencës dhe mos ushtrimit të funksioneve kushtetuese dhe ligjore që kanë në këtë rast institucionet e Kosovës -Prokurori i Shtetit. E drejta për jetë është e drejtë e garantuar, që në bazë të kushtetutës duhet të garantohet nga shteti. Institucionet e Kosovës me theks të veçantë Prokuroria Themelore e Prishtinës ka dështuar t’i ushtrojë kompetencat dhe përgjegjësitë e saj, për t’i ofruar siguri dhe mbrojtje në këtë rast viktimës Sebahate Sopi. Çka ishte edhe më e ndjerë ishte komunikata e Prokurorisë, përmes së cilës, në mënyrë amatoreske dhe aspak njerëzore që t’i ikë përgjegjësisë dhe të gënjejë që kjo Prokurori ndër të tjera thuhet se ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me këtë rast”, tha Miftaraj.





