Ish-presidenti Ilir Meta, ka reaguar pas draft statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, të propozuar nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Kryeministri shqiptar e ka dërguar propozimin në adresë të presidentit të Francës Emmanuel Macron dhe kancelarit të Gjermanisë Olaf Scholz.
Meta me këtë rast tha se Rama mund të ndihmojë me komunikim të drejtpërdrejtë me institucionet e Kosovës.
“Asociacioni i Komunave është një marrëveshje tashmë e pranuar nga qeveria aktuale e Kosovës, dhe ajo garantohet në Marrëveshjen e Brukselit dhe në Aneksin e Marrëveshjes së Ohrit, të realizuara me mbështetjen dhe negocimin e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ai.
“Zgjidhja se si do të arrihet Asociacioni, gjendet pra tek respektimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. Z. Kurti ka treguar vazhdimisht përgjegjësi dhe vullnet të palëkundur për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ndërsa tek Z. Vuçiq nuk e kemi parë në asnjë rast një gjë të tillë, përkundrazi një sërë veprimesh të tij kanë demonstruar të kundërtën”, theksoi Meta.
Ish-shefi i shtetit shqiptar theksoi se Rama do të duhet t’i kërkonte Serbisë njohjen e Kosovës.
“Z. Rama, nëse do të donte të luante një rol mund ta bënte këtë, jo duke luajtur rolin e patronazhistit mbi Kosovën, por vetëm duke i kërkuar Beogradit nënshkrimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit dhe zbatimin e tyre, njohjen e Kosovës nga Serbia dhe heqjen dorë nga strategjia e tensionimit të vazhdueshëm të situatës”, tha ish-shefi i shtetit shqiptar.