Mësimdhënësit e Kosovës nuk do të vaksinohen në Shqipëri pavarësisht diskutimeve që kishin pasur kryeministrat e dy vendeve. Ata do të presin kontingjentin e dytë të vaksinës “AstraZeneca”, nëpërmjet programit COVAX, është bërë e ditur në një komunikatë të Ministrisë së Arsimit, pas takimit që ministrja Arbërie Nagavci ka pasur me përfaqësues së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës.
Në takim është biseduar për gjendjen aktuale në arsim dhe procesin mësimor në kushte të pandemisë dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen mësimdhënësit.
“Në takim u bisedua edhe për mundësinë e vaksinimit të mësimdhënësve, në veçanti atyre që kanë probleme shëndetësore, pas arritjes së kontigjentit të dytë të vaksinave”, thuhet në komunikatë.
Ministrja Nagavci, sipas komunikatës, ka thënë se “Ministria e Arsimit është në fazë të punës intensive për organizimin e vlerësimeve të jashtme kombëtare dhe ndërkombëtare të nxënësve dhe të gjitha aktiviteteve tjera për ta përmbyllur këtë vit të vështirë në arsim”.
Ka thënë se do të kërkojë nga komunat të bëjnë plan për realizimin e mësimit plotësues.
“Gjithashtu, kërkoi që krahas mësimit të respektohen edhe masat kundër pandemisë si dhe të bëhet dezinfektimi i shkollave. Në këtë pikë, shprehu brengën që ish-Qeveria Hoti mjetet që i ka ndarë për shtesa të mësimdhënësve i ka marrë nga fondi që ishte paraparë për zbatimin e Masterplanit gjë që e ka vështirësuar mundësinë për dezinfektim të godinave shkollore, sigurimin e pajisjeve higjienike, sigurimin e mësimdhënësve zëvendësues e blerjen e pajisjeve të teknologjisë”, thuhet në njoftim.
Kohë më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte thënë e kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i kishte kërkuar ndihmë për vaksinimin e mësimdhënësve kosovarë, por se Kosova më vonë refuzoi pasi i ishin ofruar vaksina kineze.
Kontingjenti i radhës, i vaksinës “AstraZeneca” pritet të vijë në fund të muajit prill ose në muajin maj, kanë thënë nga Qeveria e Kosovës. Bëhet fjalë për rreth 70 mijë doza. Në kontingjentin e parë ishin 24 mijë, të cilat u ndanë për ekipin shëndetësor dhe të moshuarit.
Shqipëria kishte vaksinuar një pjesë të mjekëve të Kosovës.