Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar besimtarët myslimanë dhe të gjithë qytetarët e vendit me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit, i cili këtë vit përkon me përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Në mesazhin e tij, ai theksoi se Ramazani është muaj i zbritjes së Kuranit, muaj i mëshirës, faljes dhe solidaritetit, duke e cilësuar si “shkollë të shpirtit” që forcon besimin, pastron zemrën dhe lartëson moralin e besimtarit.
“Ramazani është më shumë se agjërim; është një shkollë hyjnore vetëpërmbajtjeje, pastrim ndërgjegjeje dhe lartësim moral. Ai e bën njeriun më të ndjeshëm ndaj tjetrit dhe më të përkushtuar ndaj së mirës së përbashkët”, thuhet në urim.
Duke e lidhur këtë muaj të shenjtë me 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës, Myftiu Tërnava vuri në pah se dashuria ndaj fesë dhe dashuria ndaj atdheut nuk janë në kundërshtim, por plotësojnë njëra-tjetrën. Ai kujtoi sakrificën e gjatë për liri dhe dinjitet, e cila u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Sipas tij, agjërimi është një ndër adhurimet më të veçanta, sepse kryhet me sinqeritet të plotë vetëm për hir të Krijuesit, duke përfaqësuar një lidhje intime mes besimtarit dhe Zotit. Ai theksoi se madhështia e agjërimit qëndron në përkushtimin e brendshëm që pastron shpirtin, forcon karakterin dhe afron njeriun me mëshirën hyjnore.
Në mesazhin e tij, Myftiu bëri thirrje për ruajtjen e paqes, unitetit dhe vëllazërisë, duke theksuar se mesazhi i Ramazanit është paqja dhe respekti i ndërsjellë. “Nxitja e urrejtjes është mëkat i rëndë dhe tradhti ndaj frymës së këtij muaji”, theksoi ai.
Në fund, në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu i Republikës së Kosovës uroi që ky Ramazan të jetë kohë reflektimi, afrimi me Zotin dhe forcimi i dashurisë, solidaritetit dhe përgjegjësisë ndaj vendit.
“Gëzuar dhe me fat muajin e bekuar Ramazan! Zoti e bekoftë popullin tonë dhe Republikën e Kosovës”, përfundon urimi i Myftiut.