Bashkatdhetarët që kanë ardhur këtë verë në Kosovë, sipas hulumtimeve të bëra nga organizatat joqeveritare, kanë shpenzuar rreth 500 milionë euro.
Sipas ekspertëve që i kanë bërë këto hulumtime, thuhet se të hollat e derdhura janë një infuzion për ekonominë e Kosovës, sidomos në rrethana të pandemisë.
Kosova këtë vit ka shënuar numër rekord të bashkatdhetarëve që kanë vizituar vendin. Sipas Organizatës “Germin”, shpenzimet e tyre këtë sezon kanë qenë rreth 500 milionë euro.
Lirim Krasniqi, nga Organizata joqeveritare “Germin”, organizatë kjo që merret kryesisht me çështje të diasporës, thotë se shpenzimet e bashkatdhetarëve gjatë sezonit të verës arrijnë shifrën e 500 milionë euro.
Derisa sipas Krasniqit, numri i bashkatdhetarëve që kanë hyrë në Kosovë këtë sezon vere, është rreth 1 milion.
“Konsiderojmë që vizitat e diasporës gjatë verës së këtij viti, kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në ekonominë e Kosovës. Sipas një vlerësimi që kemi bërë,por edhe nga organizata e tjera që bëjnë analiza të tilla, në rastin më të mirë, shifra që është derdhur në Kosovë mund të shkojë deri në 500 milionë euro. Kjo shifër e lartë është dhe infuzion për ekonominë e Kosovës, sidomos në rrethana të pandemisë kur disa biznise kishin regjistruar humbje të mëdha për shkak të mbylljes së përkohshme nga masat COVID-19”.





