Home LAJME Mërgimtarët e konsiderojnë “lojë me ta” hapjen e llogarive në Kosovë për rimbursim

Mërgimtarët e konsiderojnë “lojë me ta” hapjen e llogarive në Kosovë për rimbursim

0
Mërgimtarët e konsiderojnë “lojë me ta” hapjen e llogarive në Kosovë për rimbursim

Lojë më mërgimtarët po konsiderohet vendimi i ekzekutivit që ata t’i rimbursojë për policat kufitare.

Por, njëri ndër kriteret e vendosura për aplikim për këtë procedurë është se diaspora duhet të kenë llogari bankare në Kosovë ose mjetet të transferohen te ndonjë familjar i tyre, që ka xhirollogari bankare në vend.

“Në formën elektronike duhet të plotësohen të dhënat personale, të dhënat për policën dhe automjetin, si dhe të dhënat bankare të përfituesit në një bankë në Kosovë. Në këtë rast, përfitues mund të jetë edhe familjari që jeton në Kosovë. Aplikimet do të shqyrtohen dhe verifikohen në baza mujore dhe vlera e rimbursimit të polices kufitare do të transferohet në llogarinë bankare të përfituesit në fund të çdo muaji”, thuhet në vendim.

Disa nga mërgimtarët kanë thënë se nuk ia vlen të hapin një llogari bankare vetëm për këtë çështje.

“E pyeta atë zotërinë për këtë lloj sigurimi, ju lutem, thotë i kthejnë këto, Qeveria i thashë, po ju lutem pse i merrni, pasi që keni me i kthy; tha ju lutem aplikoni në këtë faqe këtu, tha me siguri do t’ua kthejnë; i thashë a ia vlen me apliku për 20 euro, më tha unë e kam urdhrin kështu nga zotëritë nga Qeveria, merruni ju me ta; i thashë unë nuk mundem t’ju kuptojë, shumë lojëra po bëni me mërgimtarët e më vjen keq. Me hap një llogari për 20 euro a ia vlen, edhe mirëmbajtja nuk e di, nuk kam koment”, u shpreh Pal Gashi.

“Ma merr mendja se jo sa na përket neve, këtu llogari me pasë, llogari atje, s’po e shoh të arsyeshme. Jo ndoshta nuk ia vlen, se harxhimet e mëdha i kemi atje”, shtoi Enison Abazi.

Por ka edhe të atillë që nuk e shohin si problematike hapjen e llogarive.

“Nuk është kurrfarë problemi se shumica e bashkatdhetarëve veç kanë konto të hapur këtu. Mirëpo mua po më duket pak tepër, 15 euro nuk ka nevojë të na ndihmojnë hiç, ka njerëz më nevojtar për ato 15 euro këtu, se unë e kam paguar vetë edhe nuk e kam ndërmend të bëj kërkesë për rimbursim”, pohoi Luan Dautaj.

“E kam paguar policen e sigurimit për 1 muaj këtu, po këto që i shkojnë shtetit është mirë, që nuk i shkojnë shtetit atëherë s’kemi çka të bëjmë. Kosova duhet të bëjë një zgjidhje për ne mërgimtarët për me ba kartonin e gjelbër që funksionon në krejt Evropën, ajo na duhet, tjetër nuk na duhet”, shtoi Sami Fazliu.

E Jemin Agushaj ka një propozim tjetër.

“Tashmë i kemi paguar ato, hallall ju qofshin, për hera të tjera në qoftë se bën më mirë me i dhanë ndonjë fukaraje diçka”, tha ai.

Më 29 qershor të këtij viti, Qeveria e Kosovës vendosi që të rimbursojë policat kufitare për kosovarët që jetojnë jashtë vendit.

Një vendim i ngjashëm ishte marrë edhe vitin e kaluar, por për dallim nga ky i fundit në atë kohë mërgimtarët nuk duhej të paguanin në pikat kufitare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here