Dashuria për vendlindjen nuk njeh kufij – dhe këtë e dëshmon më së miri një grup mërgimtarësh nga fshati Brezne, të cilët jetojnë dhe punojnë në Zvicër. Të udhëhequr nga ndjenja e përgjegjësisë për komunitetin, ata kanë themeluar një organizatë joqeveritare me emrin “Liqeni Breznes”, me synimin për të dhënë kontribut konkret në përmirësimin e jetës në fshatin e tyre të origjinës.
Qëllimi kryesor i organizatës është mirëmbajtja, pastrimi dhe rregullimi i varrezave, rrugëve, liqenit dhe ambientit të fshatit në përgjithësi, si dhe përkrahja e banorëve rezidentë për një mirëqenie më të mirë.
Projekti i parë i realizuar nga kjo OJQ ishte pastrimi dhe sistemimi i varrezave të fshatit – një iniciativë që u mirëprit ngrohtësisht nga e gjithë mërgata. Pas këtij hapi të parë, shumë mërgimtarë u bashkuan me organizatën si anëtarë aktivë, me dëshirën për të kontribuar në mënyrë të rregullt për fshatin që mbajnë në zemër.






