Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se e sheh veten shumë larg prej qëndrimeve të kryeministrit, Albin Kurti.
Krasniqi ka deklaruar se në kuptimin ideologjik, ai dallon shumë prej Kurtit, prandaj nuk e sheh të mundshme në të ardhmen një bashkëdyzim qeverisës me të.
Ne kemi shumë dallime me Vetëvendosjen. Problemi themelore përtej konceptit të vijës së kuqe është se kemi dallime të mëdha. Unë në kuptimin ideologjik dalloj shumë prej z.Kurtit, nuk ia cenoj të drejtën e tij për të qenë aq i majtë. Unë jam shumë larg prej qëndrimeve të tij dhe nuk e shoh si të mundshme një bashkëdyzim për një efikasitet qeverisës. Këtu është telashja. Nuk është personale, nuk është refuzim apriori, ka të bëjë me dallimet e mëdha që ne i kemi se si e shohim vendin, shtetin, qytetarin, të ardhmen e këtij vendi, por edhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Ka dallime pothuajse në çdo fushë të cilat nuk do të ishin aq lehtë të bashkueshme”, ka thënë Krasniqi në “DESKU” të KTV-së.
Ndërkohë, duke folur për koalicionet e mundshme paszgjedhore për komuna, Krasniqi ka thënë se nuk kanë vija të kuqe me askënd në nivelin lokal.
“Nuk kemi vija të kuqe parimisht, sidomos jo në nivelin lokal. Zgjedhjet lokale janë për qytetarët, jo për politikanët, dhe qasja jonë në fushatë ka qenë i tillë. Unë besoj që varësisht prej kontekstit lokal, aty ku kemi fituar dhe ku kemi koalicione parazgjedhore do të vazhdojmë ashtu, aty ku mund të na ftojnë që të jemi pjesë e koalicioneve, do t’i shqyrtojmë. Do të lejoj diskutim dhe një vendimmarrje lokale, pa dyshim me konsultat dhe pjesëmarrjen tonë”, është shprehur ai.