Kandidatja për deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka deklaruar se e mirëpret vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rinumërimin e të gjitha fletëvotimeve me kusht në të gjitha komunat dhe nga diaspora, për kandidatët e këtij subjekti politik.
Haradinaj-Stublla tha se duhet të zbardhet njëherë e mirë vullneti qytetar.
E njëjta komentoi gjithashtu publikimet e fundit të video-incizimeve ku dyshohet se bashkëshorti i saj, Dardan Stublla ishte i përfshirë në manipulimin e votave në kandidimin e saj në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Kryediplomatja kosovare tha se ky është inskenim dhe se me bindje të plotë e thotë se as ajo, as bashkëshorti as asnjë familjar apo bashkëpunëtorë i saj nuk është përfshirë në asnjë nga pretendimet publike.
Postimi i plotë:
Duartrokas vendimin e PZAP-it, për rinumërimin e të gjitha fletëvotimeve me kusht në të gjitha komunat, dhe nga diaspora, për kandidatet e AAK-së. Le të zbardhet njëherë e mirë vullneti qytetar.
Ky rinumërim është një hap përpara zbardhjes së incizimit të inskenuar që pretendon përfshirjen e bashkëshortit tim në vjedhjen e votave! Përseris, me bindje të plotë që as UNË, as BASHKËSHORTI, e ASNJË familjar e bashkëpunëtor i imi NUK është përfshirë në asnjë nga pretendimet publike që u bënë e po vazhdojnë të bëhen nga pseudo-portale të caktuara sipas porosive të caktuara, dhe t’i jepet fund shpifjeve, fyerjeve, dhe shantazheve në adresë timen dhe të familjes sime.