Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq pritet të nënshkruajnë deklaratën për personat e pagjetur gjatë luftës se fundit në Kosovë, me 3 maj në Bruksel. Në takimin e radhës ndërmjet tyre do të diskutohet edhe për mekanizmin për vetëmenaxhim të komunitetit serb në Kosovë.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetare e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni thotë për KosovaPress se mekanizmi për vetëmenaxhim është ndryshe prej Asociacionit dhe ka kompetenca të tjera prej tij.
“Jemi në situatën kur mendojmë të krijojmë një mekanizëm krejtësisht të ri që është ndryshe prej Asociacionit dhe ka kompetenca të tjera prej Asociacionit. Në fakt të tillë që ne e kemi kundërshtuar në vazhdimësi, pasi LVV ka qenë gjithmonë kundër Asociacionit, kemi vazhduar të jemi edhe kur kemi ardhur në krye të institucioneve. Kemi bërë përpjekje maksimale që edhe në kuadër të dialogimit të flasim për një mekanizëm të ri, ndryshe prej Asociacionit dhe jo të kthehet diskutimi tek marrëveshjet e së kaluarës që në bazë e kanë pasur Asociacionin njëetnik… (Në takimin e 3 majit në Bruksel) Do të nënshkruhet marrëveshja që tashmë është dakorduar në takimin e kryenegociatorëve për personat e pagjetur”, thotë ajo





