Drejtori Investimeve Kapitale në Prishtinë, Gëzim Mehmeti, ka thënë se shumë shpejt kryeqyteti do të bëhet me lumë.
Sipas tij, brenda dy-tre javësh do të iniciohet procedura për ndërtimin e rrugës A mbi lumin e lagjes ‘’Emshir’’.
‘’Brenda deri dy-tre javësh rruga A do të iniciohet në prokurorim. Do të fillojmë së shpejti me ndërtimin e rrugës A. Është paraparë të ketë gjatësi 5.5 km, për ta mbuluar gjithë atë pjesë kontaminuese. Në fund të muajit korrik dhe në fillim të gushtit iniciohet procedura. Sa zgjasin procedurat nuk është kompetencë e jona, megjithatë posa të përfundojnë procedurat ne do të nisim ndërtimin e rrugës. Por Prishtina po bëhet me lumë’’, ka thënë ai në emisionin ‘’038’’ të KTV-së.
Tutje, Mehmeti është shprehur se ata janë duke punuar në çdo lagje të Prishtinës, duke përfshirë edhe pjesët rurale.
‘’Në çdo lagje jemi duke punuar, jemi në përfundim e sipër në rrugën ‘Isa Kastrati’, jemi në punime te Bregu i Diellit, jemi duke punuar në pjesën e Vranjevcit, jemi duke punuar edhe në qendër, jemi duke punuar edhe në pjesët rurale. Lajmi i mirë është se ne kemi iniciuar 89.74% projekte nga buxheti. Jemi shumë të lumtur që kemi bërë afër 90% të inicimit‘’, deklaroi ai.
Ndërkohë sa i përket orëve të shtrenjta që deklaroi në Agjencinë Anti-Korrupsion, Mehmeti thotë se ato i ka bërë nga mundi i vet para se të ishte drejtor. Ai shtoi se është koleksionues i orëve.
Për rrugën e cila lidh pjesën e vjetër të Arbërisë me Fushë-Kosovën, Mehmeti ka thënë se çështja është dërguar në KRPK për shkak se kompania ka kërkuar çmim më të lartë për shkak se është rritur, sipas tij, veçanërisht çmimi i hekurit.