Drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, ka thënë se operacioni që është zhvilluar sot, ka filluar rreth një vit më parë. Ai ka treguar se është planifikuar të bëhet bastisja në 26 lokacione të ndryshme, prej tyre 5 në veri të Mitrovicës e 4 në Zveçan.
Ai ka treguar se për shkak të rezistencës nga qytetarët në veri, në tetë lokacione s’ka mundur të realizohet plotësisht operacioni.
“Ky operaci9ion ka filluar rreth një vit më parë dhe në të gjitha vendet tjera ka shkuar mirë, me përjashtim në veri. Janë planifikuar bastisje në 26 lokacione të ndryshme. Aksioni i parë në Prishtinë, më pas 6 në Pejë, 10 në Mitrovicë të Jugut, 5 në Mitrovicë të Veriut e 4 në Zveçan. Dyshohet se ka pasur rrjedhje të informacionit, po hetohet kjo. Nga 9 lokacione në veri, tetë s’ka mundur të realizohet operacioni se qytetarët kanë penguar zhvillimin e operacionit. Si pasojë 10 zyrtarë kanë pësuar lëndime, 7 shqiptarë, tre prej tyre hetues, tre operatorë të njësisë speciale e tre të reagimit të shpejtë. Një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëave po ashtu është lënduar. Nuk e kemi konfirmuar ende nëse ka marrë lëndim nga ana e Policisë apo nga gjuajtjet që ka pasur nga qytetarët”, ka thënë Mehmeti në konferencë për media.





