Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka inspektuar njësinë e Kompanisë së Deminimit të FSK-së e angazhuar në operacionin e deminimit në zonën e fshatit Seçishtë të Hanit të Elezit.
Bashkë me Mehajn ishte edhe zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, kryetari komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma dhe deputeti Mirsad Shkreta.
Mehaj u njoftua me misionin, detyrat, strukturën organizative, personelin, pajisjet, trajnimet, si dhe ushtrimet dhe operacionet e përbashkëta vendore dhe ndërkombëtare.
Ministri shprehu vlerësimin e lartë me përgëzimin për detyrën e shenjtë në shpëtimin e jetërave, rezultatet kulminante të arritura deri më tani, shkallën e lartë të profesionalizimit dhe shkathtësive të demonstruara të pjesëtarëve të kompanisë së deminimit.
Në fund, ai siguroi se në cilësi të Ministrit të Mbrojtjes do të ofroj të gjithë angazhimin, përkushtimin dhe mbështetjen maksimale për realizimin e suksesshëm të planit të njësisë në kuadër të operacioneve të tyre të deminimit dhe asgjësimit të mjeteve të pashpërthyera.
Operacionet e deminimit të FSK-së, përveç në fshatin Seçishtë, në të njëtën periudhë janë duke u realizuar edhe në tri zona tjera si në Babaj Bokës të Gjakovës, Varosh dhe Parku i Lirisë së Ferizajit.