Administrata Trump po shqyrton njohjen e Krimesë të Ukrainës si territor rus, si pjesë e çdo marrëveshjeje të ardhshme për t’i dhënë fund luftës së Moskës ndaj Kievit, shkruan mediumi amerikan, bazuar në dy persona të afërt me këtë çështje.
Sipas këtyre dy personave, zyrtarët e administratës kanë diskutuar gjithashtu mundësinë që ShBA-ja të nxisë Kombet e Bashkuara të bëjnë të njëjtën gjë.
Një kërkesë e tillë do të përafronte administratën Trump me pozicionin e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili prej kohësh e ka parë Krimenë si territorin e kombit të tij, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.Ky opsion vjen në kohën kur Donald Trump po përgatitet për një telefonatë sot, me Presidentin rus, Vladimir Putinin, për një marrëveshje të mundshme armëpushimi 30-ditore me Ukrainën.
Mediumi amerikan thotë se Trump nuk ka marrë zyrtarisht asnjë vendim, dhe lëvizjet e mundshme të Krimesë janë dy nga një mori opsionesh që po shfaqen ndërsa administrata e tij po përpiqet për t’i dhënë fund luftës, dhe se nga Shtëpia e Bardhë s’kanë pranuar të komentojnë mbi këtë.
Zyrtarët e administratës Trump kanë folur hapur për nevojën që Ukraina t’i bëjë lëshime territoriale Rusisë në mënyrë që t’i japë fund luftës 3-vjeçare, dhe vetë presidenti Trump pati thënë se është i gatshëm ta konsiderojë Krimenë si pjesë të Rusisë.
Por që kur Trump mori detyrën, këshilltarët e tij nuk kanë zbuluar publikisht shumë specifika rreth asaj që mund t’i ofrojnë Putinit.
Ukrainasit kanë “vuajtur shumë dhe njerëzit e tyre kanë vuajtur shumë, dhe është e vështirë pas diçkaje të tillë të flasim edhe për lëshime,” u tha gazetarëve javën e kaluar Sekretari i Shtetit Marco Rubio, ndërsa shtoi se “kjo është e vetmja mënyrë që kjo do të përfundojë për të parandaluar më shumë vuajtje.”