Më 1 maj të vitit 2021, Rahoveci siguroi inkuadrimin në Superligën e Kosovës në hendboll. Në edicionin e parë në elitë (2021/2022) hyri në plejof dhe siguroi daljen në Evropë. Në edicionin e dytë në elitë (2022/2023) mbeti jashtë plejofit, por luajti në turneun final të Kupës së Kosovës.
Në edicionin e ardhshëm, të tretin me radhë në Superligë, “vreshtarët” synojnë shumë më tepër – titullin e kampionit.
Rahoveci të dielën njoftoi se po ndahej me trajnerin Leonard Cula, që do të marrë pozitë tjetër në klub. Menjëherë për trajner e zyrtarizoi Verim Zherkën, njërin prej emrave të mëdhenj të hendbollit kosovar. Po të dielën vazhdoi duke e prezantuar arritjen e marrëveshjes me Egzon Gjukën, i shpallur hendbollisti më i mirë në Kosovë në dy vjetët e kaluar.
Rahovecasit vazhduan duke prezantuar marrëveshjen me Jon Muqollin, reprezentuesi tjetër i Kosovës. Gjuka e Muqolli janë larguar për një kohë të gjatë nga Besa Famgas, skuadra dominuese e Superligës.
Të hënën Rahoveci njoftoi për vazhdimin e kontratës me portierin Arti Luzha dhe qendrën Alban Haziri.
“Për Rahovecin është edicioni i tretë në Superligë dhe tani synojmë trofe. Po punojmë për të formuar ekipin e duhur për të fituar trofe. Kemi bërë disa përforcime dhe disa të tjera i planifikojmë”, thotë Afrim Deliu, drejtor sportiv i Rahovecit.
Ai ka treguar se Rahoveci planifikon të forcohet edhe në dy pozita. Me një pivot dhe bek të djathtë, ekipi rahovecas do të jetë i kompletuar, thotë Deliu.
“Për pivot besojmë se do t’i drejtohemi tregut vendor. Ndërsa për bekun e djathtë ka pak opsione në vend, kështu që do të vendosim për të huaj”, ka shtuar Deliu.
Ai ka treguar se klubi ka buxhetin e sigurt për gjithë edicionin e ardhshëm. Thotë se në klub nuk janë shumë persona të përfshirë, porse ata që janë angazhohen shumë për ngritje të vazhdueshme.
Në fakt Rahoveci është shquar për korrektësi ndaj lojtarëve dhe për kryerjen e obligimeve. Është shndërruar shpejt në një mjedis të shëndoshë sportiv. Tani synimet janë që të fitohen trofe.
“Mendojmë se jemi në rrugën e duhur. Synimi është që kupën e kampionit ta dërgojmë në qytetin e Rahovecit. Besojmë se do të kemi përkrahje të madhe nga qytetarët rahovecas në kampionatin e ri. Ekipi që po e formojmë, serioziteti që kemi, besojmë se meriton përkrahjen”, ka theksuar drejtori sportiv i KH Rahovecit.
Pasi mbeti i pesti në Superligën A, Rahoveci nuk ka siguruar daljen në Evropë. Vjet ka debutuar me dinjitet, ndonëse u ndal në pengesën e parë.
“Në Evropë nuk jemi dhe kështu i gjithë fokusi është te përgatitja e duhur për garat vendore”, ka thënë Deliu.