Në kohën kur temperaturat janë në minus, qytetarët e Kosovës këto ditë po vazhdojnë të përballen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike, nga 2 orë në minimum madje në disa vendbanime deri në 16 orë pa energji elektrike.
Reduktimet e energjisë elektrike nga KEDS arsyetohen me rritje të konsumit, ndonëse miliona euro nga Qeveria e Kosovës janë shpenzuar viteve të fundit për subvencionimin e qytetarëve për blerje të pajisjeve efiçiente për ngrohje.
Qytetet ku është raportuar se ka reduktime të gjata të energjisë elektrike janë: Ferizaj, Lipjani, Gjakova, Malisheva, Gjilani, Shtimja, Istogu dhe Prizreni, Fushë-Kosova, etj.
Zëdhënësi I KEDS:Konsumi I lartë I energjisë elektrike po shkakton djegie të aseteve elektroenergjetike
Lulzim Kraniqi, zëdhënës i KEDS-it, ka sqaruar situatën aktuale rreth furnizimit me energji elektrike në Kosovë, ku shumë qytete dhe zona po përballen me mbingarkesa dhe ndërprerje të energjisë. Ai ka theksuar se, për shkak të konsumit të jashtëzakonshëm të energjisë, që ka arritur mbi 1400 MË/h, po krijohen mbingarkesa në asetet elektroenergjetike të KEDS-it, duke shkaktuar djegie të pajisjeve në disa raste. Krasniqi ka theksuar se kjo situatë nuk nënkupton reduktime apo ndërprerje të energjisë elektrike, por tregon për një ngarkesë të madhe në rrjetin shpërndarës dhe të transmisionit, duke rritur rrezikun për sigurinë e furnizimit me energji.
‘’Për shkak të konsumit të lartë dhe rekord të energjisë elektrike, që po arrin mbi 1400më/h, po shkaktohen mbingarkesa në asetet elektroenergjitë të KEDS-it në disa vende në Kosovë, duke çuar në djegie të tyre në disa raste. Kjo nuk nënkupton reduktime ose ndalesa të energjisë elektrike, por tregon për ngarkesë të madhe në rrjetin elektrik shpërndarës dhe të transmisionit, duke sfiduar sigurinë e furnizimit me energji’’, tha Krasniqi për FrontOnline.
Sipas Krasniqit rajoni i Ferizajt është një nga rajonet më të prekura, ku furnizimi me energji është i kufizuar për shkak të këtyre mbingarkesave. Krasniqi gjithashtu përmendi se situata është e ngjashme edhe në Prizren dhe Pejë, megjithatë këto qytete po përballen me më pak sfida.
‘’Aktualisht, rajoni i Ferizajt po përballet me sfida për shkak të këtyre ngarkesave, ku furnizimi me energji elektrike është i kufizuar. Gjendje të ngjashme, por me më pak sfida, kemi edhe në Prizren dhe në Pejë’’, deklaroi Krasniqi.
Mbingarkesat sipas Krasniqit kanë prekur si transmisionin ashtu edhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, dhe është e nevojshme të tejkalohen këto ngarkesa për të garantuar stabilitetin e sistemit elektroenergjetik dhe për të shmangur dëmtimet e pajisjeve kyçe. Sipas Krasniqit, Nënstacioni Kastrioti, që është në ndërtim nga KOSTT, pritet të përfundojë së shpejti dhe do të ndihmojë në zgjidhjen e këtyre sfidave në rajonin e Ferizajt.
‘’ Mbingarkesat janë shfaqur si në transmision ashtu edhe në Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, ku po paraqitet nevoja për tejkalimin e ngarkesave për të garantuar stabilitetin e sistemit elektroenergjetik dhe për të shmangur dëme të mëdha në pajisjet kyçe. Sipas informatave, Nënstacioni Kastrioti, i cili është në ndërtim nga ana e KOSTT-it, pritet të përfundojë së shpejti, çka besohet se do të ndihmojë në tejkalimin e kësaj sfide në këtë rajon’’, tha zëdhnësi për FrontOnline.
Krasniqi ka apeluar për mbështetje nga qytetarët, duke i ftuar ata të kursejnë energjinë elektrike dhe të shmangin përdorimin e pajisjeve me konsum të lartë gjatë orëve të pikut. Ai ka theksuar se, veçanërisht ata që përdorin energjinë për ngrohje, duhet ta shfrytëzojnë atë në mënyrë sa më racionale për të mundësuar një operim më të qëndrueshëm të rrjetit dhe një shërbim më efikas.
‘’ KEDS apelon për mbështetjen e konsumatorëve në këto momente dhe i fton të gjithë të kursejnë energjinë elektrike, duke shmangur përdorimin e pajisjeve me konsum të lartë gjatë orëve të pikut. Sidomos ata që përdorin energjinë elektrike për ngrohje, këshillohen ta shfrytëzojnë atë në mënyrë sa më racionale, për të mundësuar një operim më të mirë të rrjetit dhe shërbim më efikas’’, përfundoi Krasniqi.
Muhaxheri: Kërkojmë që KEDS-I t’ I furnizojë qytetarët sa më shpejtë me energji elektrike
Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka kërkuar që KEDS-i të sigurojë furnizim më të shpejtë me energji për qytetarët e Pejës.
‘’ Ne kërkojmë që KEDS-i t’i furnizojë qytetarët sa më shpejtë me energji elektrike ‘’, tha Muhaxheri për FrontOnline.
Ai ka shprehur shqetësimin e tij për vështirësitë që po hasin banorët, veçanërisht në lagjen Vitomiricë, e cila është shumë e ngarkuar me konsum, si dhe në Luginë të Baranit, ku problemet janë po ashtu të mëdha.
Muhaxheri gjithashtu ka përmendur fshatrat e Potgurit, Radavc, Novosellë, Jabllanicë të Madhe dhe Jabllanicë të Vogël, të cilat po përballen me vështirësi serioze për shkak të rrjetit të vjetër dhe ngarkesave të mëdha që po shkaktohen nga trafot e kësaj zone.
‘’Ka ankesa të shumë për këto problemet me rrymë në rajonin e Pejës, e sidomos në lagjen e Vitomiricës e cila është shumë e ngarkuar është njëjte edhe lugu i Baranit I cili ka problem të mëdha janë edhe komplet fshatrat e Potgurit,Radavc, Novosellë, Jabllanicë e madhe ,Jablllanicë e vogël të cilat kanë probleme të theksuara për shkak të rrjetit të vjetqër dhe ngarkesës së madhe që është në trafot e kësaj zone’’, tha Muhaxheri për FrontOnline.
Kujtojmë se sot, disa qytetarë të Pejës kanë paralajmëruar protesta për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj ndërprerjeve të shpeshta dhe mungesës së furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike, duke kërkuar veprime më urgjente nga institucionet përgjegjëse.
Ferati: Një fshat i Istogut 48 orë pa rrymë
Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka ngritur shqetësime serioze për problemet me energjinë elektrike në rajonin e tij. Ferati ka theksuar se qytetarët po përballen me ndërprerje të shpeshta të energjisë, shpesh pa asnjë paralajmërim, duke përmendur se 6 fshatra janë prekur nga problemet me tensionin e ulët dhe se disa prej tyre, si fshati Kasnicë, kanë qëndruar deri në 48 orë pa energji elektrike.
‘ Kemi problem me rrymë edhe të shumë serioze, ka ndalje të shpeshta të rrymës me orë të tëra pa asnjë paralajmërim . Në 6 fshatra përreth ka pasur problem me tension , ka pasur rrymë por ka qenë prapë jo funksionale po ashtu fshati Kasnicë një pjesë është që 48 orë pa rrymë ‘’, tha Ferati për FrontOnline.
Ai ka theksuar se investimet në rrjetin elektrik janë minimale dhe se kjo ka bërë që furnizimi me energji të jetë shumë i vështirë, sidomos gjatë periudhës së dimrit, kur konsumi rritet. Ferati ka kërkuar investime serioze për përmirësimin e rrjetit elektrik, veçanërisht për tensionin e ulët, që është jashtëzakonisht i vjetër dhe problematik.
‘’Investimet sa I përket rrymës kanë qenë minimale e tash sigurisht dimrit rritet edhe konsumi gjë që e bën të vështirë furnizimin me rrymë dhe është diçka me të cilën përballemi pothuajse çdo vit dhe prapë nuk kanë bërë ndonjë zgjidhje për këtë nuk ka pasur investim serioz .
Komuna jonë ka jashtëzakonisht nevojë për investim e në rrjet elektrik po flas për tensionin e ulët I cili është jashtëzakonisht I vjetër’’, përfundoi Ferati.
Kastrati: Qytetarët e Malishevës po paralajmërojnë protesta
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka shprehur shqetësimin e tij për situatën e energjisë elektrike në rajonin e Malishevës, duke thënë se qytetarët po përballen me ndërprerje të shpeshta dhe të pandërprera të furnizimit me energji.
‘’ Kemi problem me rrymë pra ndalje të rrymës edhe atë të shpeshta e të pandërprera’’, deklaroi Kastrti për FrontOnline.
Kastrati ka theksuar se ata janë në vazhdimësi në kontakt me KEDS-in, veçanërisht me ekipin lokal, por problemi vazhdon të mbetet i pazgjidhur. Ai ka përmendur se rrjeti elektrik në disa fshatra të komunës është shumë i vjetër dhe ka mungesa të mëdha furnizimi.
‘’ Vazhdimisht jemi në kontakt me KEDS-in e sidomos me ekipin lokal që punon aty, mirëpo kemi mungesa të mëdha të furnizimit dhe po ashtu rrjeti në disa fshatra të kësaj komune është shumë I vjetër’’, tha Kastrati.
Kastrati ka shtuar se qytetarët janë shumë të shqetësuar dhe kanë reaguar me ankesa dhe protesta për situatën, duke kërkuar zgjidhje urgjente për problemet me energjinë elektrike.
‘’ Qytetarët po ankohen shumë vazhdimisht deri edhe me reagime me protesta dhe ka zëra që janë shumë të revoltuar’’, përfundoi Kastrati.