Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka njoftuar për mbylljen e aplikimit në platformën e-Kosova për projektin “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit”.
Në njoftimin e Fondit thuhet se aplikimi ka qenë i hapur për 13 ditë, ndonëse ishte paraparë që të mbyllej më 25 shtator.
“Mbyllja e parakohshme është rezultat i pranimit të mbi 2000 aplikimeve, të cilat përmbushin buxhetin e destinuar për subvencionim të masave, izolim të mureve, kulmit dhe ndërrim të dyerve e dritareve të jashtme, deri në 45% të shumës (5% bonus për shtëpitë që janë pronë e gruas ose bashkëpronësi e çiftit) duke mos kaluar kufirin maksimal 5500 euro”, thuhet në njoftimin e Fondit.
Më tej është bërë e ditur se aplikacionet kanë filluar të shqyrtohen sipas radhës të arritjes së tyre dhe tashmë janë dorëzuar edhe letrat e para të para-aprovimit./KOHA/