Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se dy pika të derivateve në Zveçan dhe Leposaviq janë mbyllur përkohësisht nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, pas konstatimit të operimit pa leje të shitjes me pakicë të derivateve të naftës.
Sipas njoftimit të MINT, ky aksion është realizuar me sukses nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
“Verifikimi i dokumentacionit përkatës ishte në qendër të këtij operacioni, duke siguruar që çdo operator ekonomik të respektojë rregullat dhe ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.








