Gjatë paraqitjes së deklaratës përfundimtare, mbrojtja e Salih Mustafës ka folur rreth dëshmive që kanë dhënë dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, duke theksuar se nuk janë të besueshme.
Sipas avokatit, Julius von Bone, nuk ka ndonjë vlerë provuese në rrëfimet e dëshmitarëve.
Mbrojtja e Mustafës ka përmendur dëshmitarin, i cili kishte pretenduar se disa persona ia kishin futur një thes në kokë dhe e kishin dërguar në një ahur për ta rrahur e maltretuar pastaj.
“Ky dëshmitar nuk bëri një identifikim të besueshëm të ndërtesës në të cilën është mbajtur. Dëshmitari nuk mund të identifikonte pjesën e jashtme të një ndërtese duke qenë se nuk ka mundur të shohë se ku ka shkuar, ku e kanë çuar, në vendin ku e kanë rrahur. Skica dhe foto që i është treguar atij nuk mund të jetë e besueshme dhe nuk ka asnjë lloj vlere provuese t’i tregosh atij një fotografi të vetme sidomos kur vendi nuk është përshkruar kurrë nga jashtë. T’i tregosh një dëshmitari në këto rrethana një foto të vetme është sugjestionuese dhe në këtë rast dëshmitari duhet t’i kishin treguar shumë foto nga ndërtesa të ngjashme nga të cilat do të kishte zgjedhur një. Rrjedhimisht dëshmia e tij në këtë drejtim dhe prova mbi të cilën ZPS-ja është mbështetur nuk është e besueshme”, ka thënë avokati mbrojtës.
Duke folur për dëshmitarët e ZPS-së, avokati ka thënë se të njëjtit nuk e kanë identifikuar në mënyrë të besueshme ndërtesën, në të cilën pretendojnë se janë mbajtur.
Ai ka folur për dëshmitarin me kodin 0593, për të cilin ka thënë se nuk e ka përmendur asnjëherë emrin e Salih Mustafës dhe sipas avokatit nuk mund të provohet nga një kapele e kuqe që i akuzuari është personi që e ka marrë në pyetje.
“Ai nuk dëshiron as t’ia thotë emrin të akuzuarit por asnjëherë nuk e përmendur emrin e të akuzuarit askund asnjëherë më parë, përfundimi është që bazuar mbi dëshminë e tij nuk mund të provohet nga një kapele e kuqe që është i akuzuari personi që e ka marrë në pyetje”, ka thënë avokati Julius von Bone.
Prokuroria e Specializuar në Hagë ka kërkuar që Salih Mustafës t’i shqiptohet një dënim i vetëm prej 35 vjet burgim.
Në deklaratën përmbyllëse, ZPS-ja kërkon nga trupi gjykues të vendos që i akuzuari të dënohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe për vrasje. /ksp