Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka konfirmuar se mosha e votimit do të ulet në 16 vjeç për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme, në përputhje me premtimin e dhënë nga Partia Laburiste në manifestin e saj zgjedhor vitin e kaluar.
Kjo reformë përfaqëson një nga ndryshimet më të mëdha në sistemin zgjedhor britanik që nga viti 1969, kur mosha e votimit u ul nga 21 në 18 vjeç.
Sipas qeverisë, rreth 1.5 milion të rinj 16 dhe 17-vjeçarë do të fitojnë të drejtën për të votuar në zgjedhjet kombëtare. Ky vendim ndjek shembullin e Skocisë dhe Uellsit, ku të rinjtë kanë të drejtë vote në zgjedhjet lokale dhe ato të parlamenteve përkatëse.
Kryeministri britanik Keir Starmer tha se 16 dhe 17-vjeçarët janë mjaftueshëm të rritur për të dalë në punë dhe për të paguar taksat.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme që 16 dhe 17-vjeçarët të kenë të drejtë vote, sepse janë mjaftueshëm të rritur për të dalë në punë, janë mjaftueshëm të rritur për të paguar taksat, prandaj paguani. Dhe mendoj se nëse paguani, duhet të keni mundësinë të thoni se për çfarë doni të shpenzohen paratë tuaja, në cilën drejtim duhet të veprojë qeveria”, tha Starmer.
Edhe ministrja e Demokracisë, Rushanara Ali, theksoi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në jetën politike:
“Në moshën 16 vjeç, një i ri mund të punojë, të paguajë taksat, mund të bashkohet me ushtrinë. Pra, nuk ka asnjë arsye pse që nga ajo moshë, ata të mos kenë të drejtë të thonë se kush e qeveris vendin tonë.”
Ajo konfirmoi se ndryshimi do të jetë pjesë e një Projektligji të ri Zgjedhor që përfshin edhe masa të tjera si: zgjerimi i formave të identifikimit të votuesve (përfshirë kartat bankare të lëshuara në MB), kalimi drejt regjistrimit automatik të votuesve dhe shtrëngimi i rregullave për donacionet politike për të mbrojtur nga ndërhyrjet e huaja.
Opozita ka shprehur skepticizëm për këtë vendim. Partia Konservatore ka kërkuar “shqyrtim parlamentar” të planit, ndërsa Nigel Farage, lideri i Reform UK, ishte kundër uljes së moshës së votuesve.
“Nuk e mbështes uljen e moshës së votimit në 16 vjeç, edhe pse marrim shumë vota. Dikush nuk duhet të jetë në gjendje të votojë në zgjedhje nëse nuk është në gjendje të kandidojë”, tha Farage.
Aktualisht, mosha minimale për të kandiduar në zgjedhje në Mbretërinë e Bashkuar është 18 vjeç.
Projektligji pritet të finalizohet deri në vitin 2029, por qeveria nuk përjashton mundësinë që ai të hyjë në fuqi më herët.