Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka ftuar një takim të institucioneve të drejtësisë pas vrasjes së dy grave për pesë ditë.
Të martën në Pejë një grua u vra e i dyshuar është bashkëshorti i saj. Rasti ndodhi katër ditë pasi një grua u vra në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, nga ish-bashkëshorti i saj.
“Në mëngjesin e sotëm edhe një grua u vra nga burri në Pejë, vetëm 4 ditë nga vrasja e një gruaje po ashtu nga burri në Ferizaj. Kjo është shumë e rëndë. Është tronditëse. Është dhimbje e madhe. Është e patolerueshme. Për këtë gjë sot kam ftuar në takim ministrin e Punëve të Brendshme, kryesuesit e këshillave, u.d Kryeprokurorin dhe Drejtorin e Policisë së Kosovës dhe po ashtu në një takim tjetër edhe mbledhjen e grupit ndërministror. Nuk ka rrugë tjetër pos si institucione të Republikës së Kosovës të luftojmë pa kompromis këto fenomene”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.





