Qeveria e Republikës së Kosovës nën drejtimin e kryeministrit Albin Kurti ka zhvilluar sot mbledhjen e fundit për vitin 2024 ku edhe kanë marrë një numër vendimesh.
Kurti në fillim të kësaj mbledhje ka folur për problemet me energjinë elektrike dhe ka numëruar ato që sipas tij janë “dhjetë sukseset” dhe ka kërkuar edhe nga ministrat që t’ua tregojnë qytetarëve nga 5 suksese që i kanë arritur gjatë vitit 2024.
Vendimet që janë marrë sot në mbledhje:
– Miratuar vendimin për të ndarë shtesat e njëhershme në vlerë prej 100 euro për fëmijët 0-16 vjeç dhe pensionmarrësit.
– Aprovuar Ekstraktet e Procesverbalit dhe Transkriptit nga mbledhja: 233 dhe ekstrakteve të procesverbaleve nga mbledhjet: 236 dhe 237 elektronike/korresponduese të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
– Aprovuar Rregulloren për Organizimin dhe Funksionimin e Zyrës së Koordinatorit Kombëtar për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore dhe Funksionimin e Grupit Koordinues Ndërministror. Kjo rregullore, si një nga masat e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave, ka për qëllim të sigurojë një koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve dhe të garantojë zbatimin efikas të politikave dhe masave të parashikuara për mbrojtjen nga dhuna në familje.
– Miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme për nevoja të Terminalit Doganor në Merdare. Terminalet doganore vazhdojnë t’i kthehen shtetit e nga to të përfitojnë të gjithë.