Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar për përfundimin me sukses të misionit të radhës për diagnostikimin dhe trajtimin e fëmijëve me sëmundje të lindura të zemrës, i cili u realizua nga 8 deri më 13 shkurt 2026 në Klinikën e Pediatrisë në Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë këtij misioni është kryer skriningu i 92 fëmijëve me anomali kongjenitale të zemrës (AKZ), përfshirë edhe dy ekzaminime prenatale. Nga ta, 35 fëmijë janë trajtuar përmes ndërhyrjeve të specializuara kardiologjike dhe kardiokirurgjikale. Në total janë realizuar 26 intervenime kardiologjike dhe 9 intervenime kardiokirurgjikale.
Misioni është zhvilluar me përkrahjen e organizatës humanitare Muntada Aid nga Londra, në bashkëpunim të ngushtë me mjekë specialistë nga Turqia dhe me stafin profesional të disa klinikave dhe shërbimeve mbështetëse të QKUK-së, përfshirë Anesteziologjinë, Kardiokirurgjinë, Kardiologjinë Adulte, Kirurgjinë e Fëmijëve, Shërbimin e Transfuzionit dhe atë të Biokimisë. Ky bashkëpunim konsiderohet si dëshmi e rëndësisë së partneriteteve ndërkombëtare në avancimin e shërbimeve shëndetësore në vend.
Në kuadër të kardiologjisë intervenuese janë trajtuar patologji të ndryshme, përfshirë Ductus arteriosus persistens (DAP) në dy raste, defektin septal ventrikular (VSD) në shtatë raste, koarktacionin e aortës (CoAo) në dy raste, defektin septal atrial tipi II (ASD II) në tetë raste, si dhe stenozën e arteries pulmonare në tri raste. Gjithashtu, janë realizuar edhe katër kateterizime diagnostikuese.
Ndërkohë, në Kardiokirurgjinë Pediatrike janë kryer ndërhyrje komplekse, disa prej të cilave për herë të parë në Kosovë. Mes tyre përfshihet rekonstruksioni i traktit dalës të ventrikulit të djathtë (RVOT) pas Tetralogjisë së Fallot-it me implantim të valvulës biologjike të arteries pulmonare, trajtimi i unazës vaskulare aortike (Aortic ring), si dhe realizimi i procedurës Glenn (anastomozë kavopulmonare superiore). Po ashtu janë trajtuar raste të atrezisë pulmonare, ndërprerjes së harkut të aortës (interrupted aortic arch), si dhe janë korrigjuar defekte septale atriale dhe ventrikulare.
Aktualisht, tre fëmijë vazhdojnë trajtimin pas ndërhyrjeve kardiokirurgjikale, ndërsa pacientët e tjerë janë liruar në gjendje të mirë postoperatore dhe po vazhdojnë trajtimin në kushte shtëpie. Sipas njoftimit, të gjithë pacientët kanë kryer kontrollet pas lëshimit dhe gjendja e tyre paraqitet stabile.
Ky mision vlerësohet si një hap i rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe në ofrimin e shërbimeve të avancuara për trajtimin e sëmundjeve të lindura të zemrës tek fëmijët në Kosovë.