ATK-ja sot ka njoftuar se gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti ka arritur të mbledhë të hyra prej 512 milionë euro, që është një rritje prej 122 milionë euro për dallim nga viti i kaluar e mbi 80 milionë euro krahasuar me vitin 2019.
Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, për emisionin “60 Minuta” në KTV ka treguar se të dhënat janë të shkëlqyera dhe tregojnë një efikasitet të madh në inkasimin e borxheve, ku janë inkasuar borxhe rreth 50 milionë euro më tepër se vitin e kaluar e 40 milionë më tepër se vitin 2019.
“Është një nga faktorët për rritjen e të hyrave, pasi është afro 8 për qind e të hyrave totale”, ka thënë Murtezaj.
Murtezaj ka thënë se fenomeni i moslëshimit të kuponëve fiskalë vazhdon të jetë problem.
Ai ka treguar se gjatë periudhës korrik-shtator janë gjobitur rreth 8000 biznese për moslëshim të kuponave.
“Përkundër se me ligjin e rimëkëmbjes ekonomike norma tatimore është zvogëluar për sektorin e shërbimeve të gastronomisë e hotelerisë, nuk ka prodhuar kjo efekt në përmirësim apo formalizim të tërësishëm të tregut në këtë sektor dhe kjo është faktuar nga veprimet tona në terren në korrik, gusht e shtator. Fatkeqësisht është arritur të identifikohen mbi 8000 biznese që nuk kanë lëshuar kupona dhe jemi detyruar të aplikojmë masa ndëshkuese”, ka thënë Murtezaj.
Murtezaj ka thënë se ATK-ja po shqyrton të organizojë një lojë shpërblyese me kupona fiskal si herën e kaluar, kur rimbursonte qytetarët.
Në herën e kaluar ka thënë se nuk ishte shumë e suksesshme fushata, pasi nuk solli efektin e nevojshëm e kishte shpenzime.
“Ditëve në vijim do të shohim të dakordohemi për një formë të re të lojës shpërblyese. Forma e fundit kishte kosto e nuk jepte efektin e mjaftueshëm në nxitje të lëshimit të kuponave fiskalë”, ka thënë Murtezaj.
Ai ka treguar se mbi 17 mijë biznese janë deklaruar nëpërmjet sistemit EDI se janë biznese që nuk obligohen të fiskalizohen e 35 mijë janë biznese të fiskalizuar tashmë.
ATK-ja ka paralajmëruar kontrolle njëherit për bizneset me punëtorë informalë.