Zyra e Kryeministrit njofton se në mbledhjen e Komisionit të Granteve të martën u aprovua financimi komunal për periudhën 2024-2026, gjithsej 742.02 milionë euro, që paraqet rritje prej 82.51 milionë euro.
Sipas njoftimit, Granti i përgjithshëm kap vlerën prej 284.68 milionë euro, ai për shëndetësi 11.5 milionë euro ndërsa granti për arsim 37 milionë euro.
“Granti i Përgjithshëm për vitin 2024 kap shumën prej 284.68 milionë euro, e që paraqet vlerën më të madhe ndonjëherë për këtë grant. Kjo vlerë rekord e Grantit të Përgjithshëm vjen si rezultat i drejtpërdrejtë i rritjes së të hyrave në Buxhetin e Shtetit. Rritje ka edhe në Grantin specifik për Shëndetësi dhe Grantin specifik për Arsim.
Granti për Shëndetësi për vitin 2024 ka rritje prej 16% krahasuar me vitin 2023, apo 11.5 milionë euro, ndërsa Granti për Arsim është rritur për 18.5%, apo 37 milionë euro. Komisioni i Granteve ka miratuar buxhetin me rritje edhe për Grantin e Kryeqytetin me afro 12% krahasuar me vitin 2023, si dhe Financimin për teatrot me rritje prej 80% apo 720 mijë euro”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Në komunikatë thuhet po ashtu se drafti i përgatitur nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për financimin komunal për periudhën 2024-2026 është i bazuar në legjislacionin për financat publike dhe aprovimi i këtij drafti do t’u mundësojë komunave dhe nivelit qendror zhvillimin e rregullt të procesit buxhetor.