43,933 shtetas të Kosovës, janë regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për Kuvende Komunale që do të mbahen më 12.10.2025.
Kështu është bërë e ditur në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve më 17.09.2025.
Drejtori për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike në KQZ, Besnik Buzhala bëri të ditur se deri më tani, rreth 10,000 pako individuale me fletëvotime janë dërguar jashtë Kosovës, ndërsa edhe 5,000 të tjera janë kompletuar dhe do të dërgohen gjatë ditës.
Në këtë mbledhje, KQZ konfirmoi adresat e kutive postare për votimin me postë nga jashtë Kosovës.
Me qëllim të ofrimit të mundësisë për votim për shtetasit që janë regjistruar për të votuar përmes postës, KQZ bëri të ditur se kutitë postare janë funksionale në këto shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

Votimi me postë për votuesit jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale ka filluar më 17.09.2025 do të zgjatë deri më 11.10.2025.
Mundësi për votim me postë kanë të gjithë votuesit e regjistruar për votuar me postë për kryetarë të komunave dhe për Kuvend Komunale.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se kjo periudhë 25 ditore do të vlejë vetëm për 43 mijë e 933 votues që kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosove.
“Në përputhje me detyrimet e përcaktuara në Rregulloren Zgjedhore Nr. 04/2025 për regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës, sipas të cilave KQZ do të sigurohet që shtetasve të Kosovës të regjistruar për votim me postë t’ua dërgojë përmes postës pakon me fletëvotime, KQZ ka përgatitur pakot për secilin votues të regjistruar, e cila përmban nga dy fletëvotime, një për zgjedhjet për Kryetar Komune dhe një për Zgjedhjet për Kuvend Komunal” – ka njoftuar mes tjerash KQZ.
KQZ njofton se ka nisur përmes postës pako me fletëvotime për votuesit e regjistruar në disa shtete dhe se shërbimet postare do ta përcjellin tek votuesit e regjistruar në adresat e dhëna prej tyre gjatë procesit të regjistrimit.
Në ndërkohë do të vazhdohet dërgimi edhe i pjesës tjetër të pakove me fletëvotime.
“Zarfi i cili do t’i dërgohet votuesit, përmban: fletëvotimet; zarfin e fshehtësisë; udhëzuesin me informacione se si plotësohen fletëvotimet dhe si realizohet votimi përmes postës; zarfin kthyes dhe shiritin mbyllës” – njofton KQZ.
Votuesi ka për detyrë që pakon me fletëvotime ta dërgoj në ndonjë nga kutitë postare të KQZ-së.
KQZ ka njoftuar se në shumicën e zarfeve ka shënuar paraprakisht adresën e kutisë postare në shtetin përkatës të votuesit i cili është i regjistruar.
Megjithëkëtë, në rastet kur adresa nuk është shkruar nga KQZ, votuesi duhet që ta shkruaj njërën nga adresat e kutive postare të KQZ-së.
Lëvizja Vetëvendosje ka numrin 105; 191 Partia Demokratike e Kosovës; 113 Lidhja Demokratike e Kosovës; 174 Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; 186 NISMA Socialdemokrate; 170 Lista Serbe; 103 Alternativa; 118 Partia Guxo; 149 Partia Socialdemokrate.
Në këtë link mund të gjeni listën e plotë të numrave të subjekteve politike.
Numri i përgjithshëm i kandidatëve që përfaqësojnë këto subjekte politike është 5,626, prej të cilëve: 206 kandidatë për Kryetarë të Komunave dhe 5,420 për anëtarë të Kuvendeve Komunale.
Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë mbajtur më 17.10. 2021. Në zgjedhjet e kaluara ka prirë LDK për nga numri më i madh i votave, e pasuar nga LVV, e treta PDK, dhe e katërta AAK./Kallxo.com