Shqipëria vazhdon të jetë destinacioni i preferuar i kosovarëve, thuajse në secilën sezon të vitit.
Por natyrisht, vera mbetet koha më e preferuar kur kosovarët zgjedhin që të udhëtojnë në Shqipëri.
Madje për t’ua lehtësuar shkuarjen atje, përgjatë tre muajve të sezonit veror në mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk ka fare kontrolle- kësisoj kalimi bëhet më i lehtë e pa pritje.
Edhe në vitin 2025, shumë shtetas të Kosovës udhëtuan në Shqipëri duke vizituar kështu vendet më të bukura të këtij shteti e duke vazhduar lidhshmërinë që kanë shqiptarët në mes vete.
Mbi 4.4 milionë herë, shtetasit e Kosovës kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë gjatë vitit 2025, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin paraprak.
Këto të dhëna janë bërë të ditura nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në Shqipëri, në përgjigje të pyetjeve të parashtruara nga mediumi lajmi.net.
Sipas Policisë së Shtetit, në periudhën nga 1 janari deri më 14 dhjetor 2025, në Shqipëri kanë hyrë gjithsej 4,402,743 herë shtetasit kosovarë, që paraqet një rritje prej 216,050 hyrjesh më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Autoritetet bëjnë të ditur se pikat kufitare me fluksin më të madh të hyrjeve kanë qenë Morina, Qafë Morina, Muriqani, Hani i Hotit, Rinasi dhe Porti i Durrësit.
Këto pika vazhdojnë të jenë më të frekuentuarat nga shtetasit e Kosovës, veçanërisht gjatë sezonit veror.
Muaji gusht ka rezultuar të jetë periudha me numrin më të madh të hyrjeve të shtetasve kosovarë në Shqipëri, çka lidhet kryesisht me pushimet verore dhe rritjen e lëvizjeve drejt bregdetit shqiptar.
Sa i përket qëndrimit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bërë të ditur se kohëzgjatja më e madhe e qëndrimit të shtetasve kosovarë në Shqipëri është mesatarisht deri në 15 ditë.
Kësisoj shumë prej kosovarëve qëndrimin atje e kanë minimalisht 7 deri në 15 ditë, e të tjerë edhe me muaj të tërë.
Këto statistika dëshmojnë për vazhdimësinë e fluksit të lartë të lëvizjes mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe rëndësinë e Shqipërisë si destinacion i preferuar për pushime dhe vizita nga qytetarët e Kosovës./Lajmi.net/
