Eksportet e Kosovës në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian (BE) në dhjetor të vitit të kaluar arritën vlerën 18,7 milionë euro, ose rreth 28,6 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 2,1 për qind.
Gjermania me pjesëmarrje 10 për qind prin në eksportin e Kosovës, më pas renditet Italia me 4,2 për qind, Holanda 2,1 për qind etj.
Në anën tjetër, nga vendet e BE-së Kosova importoi mallra në vlerë rreth 225,3 milionë euro, ose 47,0 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 17,5 për qind.
Edhe tek importi Gjermania regjistron pjesëmarrjen më të lartë me 14,8 për qind, pastaj Greqia 5,6 për qind, Italia 4,3 për qind etj.
Ndryshe, të dhënat për tregtinë e jashtme të përgjithshmë të Kosovës për muajin dhjetor të vitit 2023 tregojnë se u importuan mallra në vlerë 543.1 milionë euro, që paraqet një rritje 4.1 për qind për import ndërsa u eksportuan mallra në vlerë 65.4 milionë euro që është një rënie 9.3 për qind për eksport, në krahasim me muajin e njëjtë të vitit 2022.
Statistikat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se deficiti tregtar është më i lartë për 6,3 për qind në muajin dhjetor të vitit të 2023 në krahasim me muajin dhjetor të vitit paraprak, gjegjësisht në vlerë prej 477,7 milionë euro krahasuar me deficitin prej 449,5 milionë.