Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka akredituar grupin e dytë të vëzhguesve, me 15 mijë 788 vëzhgues për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se vëzhguesit e akredituar në mbledhjen e mbajtur të martën, përfaqësojnë 15 subjekte politike, 8 organizata joqeveritare, 3 organizata ndërkombëtare, 26 media vendore, 16 media ndërkombëtare dhe 4 përfaqësi diplomatike.
Në mbledhjen e kaluar, KQZ-ja ka akredituar grupin e parë me 761 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë 5 organizata joqeveritare vendore, 1 organizatë ndërkombëtare, 13 media vendore, 7 media ndërkombëtare, 2 përfaqësi diplomatike dhe 1 institucion vendor.
Pas vendimeve nga mbledhja e KQZ-së, numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026, është: 16,549 vëzhgues.
“Vëzhguesit e akredituar përfaqësojnë: 15 subjekte politike – 14,931 vëzhgues; 13 OJQ vendore – 796 vëzhgues; 4 organizata ndërkombëtare – 130 vëzhgues; 39 media vendore – 457 vëzhgues; 23 media ndërkombëtare – 78 vëzhgues; 6 përfaqësi diplomatike – 90 vëzhgues; dhe 1 institucion vendor – 67 vëzhgues”, ka theksuar Elezi.
Gjithashtu, KQZ-ja ka mbështetur rekomandimin për refuzimin e akreditimit për Radio–televizija Vojvodine.
“Gjatë shqyrtimit dhe vlerësimit të dokumentacionit të paraqitur nga kjo media, Zyra ka konstatuar se organizata në fjalë është paraqitur dhe ka aplikuar si media vendore. Megjithatë, pas verifikimit të dokumentacionit dhe të dhënave zyrtare, është konstatuar se i njëjti nuk figuron i regjistruar si media në kuadër të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) dhe as në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK). Për rrjedhojë, statusi i saj si media vendore nuk është konfirmuar përmes regjistrave zyrtarë përkatës. Po ashtu në rubrikën e dedikuar për ngarkimin e certifikatës, ka ngarkuar kartelën identifikuese (ID) të shtëpisë mediatike dhe jo certifikatën përkatëse të regjistrimit, siç kërkohet sipas dokumentacionit të aplikimit”, ka deklaruar Elezi.
KQZ-ja ka marr vendim edhe për emërimin e ekipeve të numërimit në 38 qendra komunale të numërimit. Sipas vendimit të KQZ-së, në këto qendra do të angazhohen 2,213 anëtarë, në kuadër të 508 ekipeve të numërimit, të cilët përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike pjesëmarrëse në proces zgjedhor.
Ekipet e numërimit do të verifikojnë rezultatet subjekteve politike të evidentuar në formularë pas numërimit të fletëvotimeve në vendvotime dhe në numërimin e votave të kandidatëve për deputetë.
KQZ gjithashtu ka emëruar 153 anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve të rregullta nga komuna të ndryshme për vendet e paplotësuara.
Në mbledhjen e kaluar, KQZ-ja pati vendosur për emërimin e 12,678 anëtarëve, 1,043 prej të cilëve rezervë, për t’u angazhuar në 2,498 vendvotime për votimin e rregullt (911 qendra votimi), ndërkaq emërimi i pjesës tjetër ishte planifikuar të bëhej në mbledhjen e radhës.
Gjithashtu, në këtë mbledhje, KQZ-ja ka emëruar 192 anëtarë të 52 këshillave të vendvotimeve me kusht (38 qendra votimi). Anëtarët e këshillave të vendvotimeve të emëruar nga KQZ, përfaqësojnë subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje dhe do të jenë përgjegjëse për përgatitjen dhe administrimin e procesit zgjedhor në vendvotime.
KQZ-ja mori vendim për miratimin e stafit rezervë të këshillave të vendvotimeve dhe stafit asistues që do të angazhohen në procesin e votimit që do të zhvillohet në përfaqësitë diplomatike më 6 qershor 2026. Sipas vendimit të KQZ-së, numri i personave të emëruar është 66. Në mbledhjen e kaluar, KQZ-ja kishte marrë vendim për emërimin e anëtarëve të këshillave të vendvotimeve në përfaqësitë diplomatike. Sipas vendimit të KQZ-së, në 47 vendvotime që do të hapen në kuadër të 30 përfaqësive diplomatike (17 ambasada dhe 13 konsullata) të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës, do të angazhohen rreth 200 anëtarë, të cilët përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike./KOHA