Pandemia COVID-19 po cenon shëndetin e qytetarëve të Prizrenit, me numrin që po shkon duke u rritur javëve të fundit.
Por kjo situatë po prek edhe mirëqenien e tyre ekonomike, duke qenë se masat kufizuese kanë vështirësuar veprimtarinë për bizneset e qytetit historik.
Sipas autoriteteve shëndetësore, në javët e fundit numri i të infektuarve me koronavirus ka kapërcyer pikun që ishte shënuar në mes të gushtit të këtij viti.
Drejtori i Spitalit Rajonal të Prizrenit, Afrim Avdaj, pohon se aktualisht në këtë spital janë të shtrirë mbi 100 pacientë me COVID-19 nga rajoni i Prizrenit dhe se potenciali profesional i këtij institucioni shëndetësor është orientuar për t’i ofruar trajtim të duhur, raporton KOHA.
“Nga data 13 gusht, kur kemi regjistruar numrin më të madh të të hospitalizuarve me gjithsej 104 pacientë, ne tanimë sot aktualisht i kemi 120 të hospitalizuar. Ndërkohë që numrin më të madh e kishim me 129 pacientë të hospitalizuar”, ka thënë Avdaj.
Në anën tjetër efektet e pandemisë po tregohen të rënda për bizneset lokale, veçanërisht gastronominë e Prizrenit, ku vërehet edhe mungesa e vizitorëve.
Gastronomi Ilir Shala thekson se këto biznese sikurse edhe në qytetet e tjera kanë rënie të madhe, për shkak të masave kufizuese, ndërkohë që nuk po gëzojnë mbështetje nga institucionet përgjegjëse.
Sipas tij, në rrethanat aktuale ka rënë edhe numri i vizitorëve, gjë që ka detyruar operatorët e gastronomisë të funksionojnë me numër të reduktuar të punëtorëve.
“Mund të them që tashmë vetëm ka kalu 50-përqindëshin që është rënia e gjitha aktiviteteve në gastronomi. Nëse kemi pasë më herët që kemi humb një të tretën e punëtorëve, tashti kam informata nga gjithë kolegët që vetëm ka shkuar në përgjysmim të numrit të punëtorëve dhe tashmë disa biznese janë pranë mbylljes totale”, ka thënë Shala.
Ditë më parë IKSHPK-ja ka apeluar qytetarët, institucionet publike e private, bizneset dhe gastronominë që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, për të frenuar përhapjen e infeksionit.