Fadil Osmani dhe Elmedina Nikoçeviq-Kurti ishin mysafirë në emisionin “60 Minuta” në KTV dhe ata folën për mundësitë e punësimit dhe trajnimit që ofrojnë qendrat që drejtojnë.
Osmani nga Agjencia e Punësimit e Kosovës tha se vetëm këtë vit janë paraqitur 10.770 persona si të papunë në këtë qendër, ndërkohë që gjithsej janë mbi 100 mijë.
“Agjencia jonë ka 35 zyra në Kosovë, përfshirë edhe një ne veri dhe tetë qendra të aftësimit profesional. Kemi 35 profile të punëkërkuesve, nga ata me shkollim bazik, si gjimnazi e deri edhe me magjistraturë. Kemi edhe qendrat e aftësimit profesional dhe ftojmë të gjithë të interesuarit të shfrytëzojmë këtë mundësi për aftësim profesional falas”, ka thënë Osmani.
Ai ka treguar se bashkëpunimi me bizneset, sidomos ato të vogla e të mesme është i mirë, e me të mëdhatë ka më shumë telashe.
“Kërkesa e bizneseve është rritur, tash nuk duan të humbin kohë të aftësojnë dikë për një vend pune, e d uan kuadër të gatshëm dhe ne mund ta bëjmë këtë përmes qendrave të aftësimit, për më tepër është falas”, ka thënë Osmani.
Ai tha se një punëkërkues që paraqitet në agjenci, nëse nuk paraqitet brend gjashtë muajve të ardhshëm, atëherë llogaritet pasiv.
Ndërkohë, Nikoqeviq-Kurti nga Qendra për Zhvillimin e Karrierës ka folur për panairin e karrierës që sot është hapur online.
Ajo tha se studentët e interesuar kanë pasur mundësinë që nga ora 9 e deri në orën 16:00 përmes “chatit” të bisedojnë me bizneset që janë në kërkim të kuadrove dhe të shohin se çfarë kërkon tregu sot.
Ajo ka folur edhe për vetëdijesimin e studentëve, të cilët sipas saj e kanë parë se vetëm me anglishten si gjuhë të huajë e kanë të vështirë të depërtojnë.
“Sot kërkohen edhe gjuhë të tjera, gjermanishtja, ajo frënge e të tjera. Studentët më shumë janë të fokusuar në drejtimet juridik, ekonomik, gjuhë e IT, por ka edhe të tjera drejtime që kërkohen. Tregu në Kosovë është zgjeruar shumë, pjesa online dhe shërbimi i shitjes. Fuqia punëtore është më e lirë këtu dhe ka edhe kompani të huaja që po na qasen neve, sidomos nga pjesa e IT”, ka thënë ajo.
Sipas saj, duhet bërë edhe seleksionimi i nxënësve që nga shkollat fillore, të mos humbet kohë kot
“Tregu i punës ka nevojë edhe për saldues, murator e të tjera profesione. Kjo është ajo që në kërkojmë në çdo tryezë që organizojmë me kompani të profileve të ndryshme. Por kjo duhet të bëhet edhe nëpër shkolla”, tja ajo.
Nikoçeviq-Kurti tha se në panairin e karrierës online kanë marrë pjesë mbi 50 kompani.