Qytetarët janë përballur me reduktime të energjisë elektrike edhe gjatë së dielës. Për frustrimin e qytetarëve me këtë situatë, kryeministri Albin Kurti tha se i kupton plotësisht, por, sipas tij, kjo është shkak i qeverisjeve të mëhershme. Ndërkohë në KEK ka filluar riparimi i turbinës së bllokut “B2” të termocentralit “Kosova B”. KOHA merr vesh se eksperti gjerman ka arritur të shtunën dhe se brenda pak ditësh do të dihet se sa do të zgjasë riparimi në këtë bllok
Ka nisur puna në riparimin e turbinës së bllokut “B2” në termocentralin “Kosova B”. Burime të KOHËS brenda Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kanë bërë të ditur se eksperti gjerman që do të merret me sanimin e dëmeve në këtë bllok, ka arritur të shtunën dhe se brenda pak ditësh do të dihet se sa do të zgjasin riparimet.
Brenda pak ditësh do të dihen edhe shkaktarët që dëmtuan flatrat e turbinës së B2-shit.