Në Prokurorinë Themelore në Prizren është mbajtur takimi i radhës i mekanizmit koordinues me akterët që merren me trajtimin e rasteve dhe veprave penale të dhunës në familje, brenda kompetencës së kësaj prokurorie.
Në këtë takim, të thirrur dhe organizuar nga prokurorja dhe koordinatorja për rastet e dhunës në familje, Dena Arapi -Vardari, morën pjesë përfaqësues nga Policia e Kosovës për rajonin e Prizrenit, gjyqtarë nga Gjykata Themelore në Prizren, përfaqësues nga Komuna e Prizrenit, Qendra për Punë Sociale, Shërbimi Sprovues, Spitali Rajonal në Prizren, Mbrojtësit e Viktimave, Strehimorja, Ndihma Juridike, OSCE, si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare.
Siç njofton Prokuroria, gjatë takimit u diskutua për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, me theks të veçantë në nevojën që këto raste të trajtohen me seriozitet të plotë dhe në mënyrë profesionale nga të gjitha institucionet përgjegjëse. Po ashtu, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional në menaxhimin dhe parandalimin e këtyre rasteve.
Ndër të tjera, thuhet se u kërkua dhe u rekomandua që, në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit në Prizren, të organizohen ligjërata vetëdijësuese në shkollat fillore dhe të mesme, me qëllim të parandalimit të dhunës dhe rritjes së ndërgjegjësimit tek të rinjtë. Në këtë drejtim, u theksua se sfidë e vazhdueshme mbeten rastet që lidhen me përdorimin e narkotikëve, të cilat shpesh rezultojnë me pasoja në shëndetin mendor dhe ndikojnë në rritjen e rasteve të dhunës në familje.
Gjithashtu, nga përfaqësuesit e Spitalit Rajonal në Prizren u kërkua që për rastet e dhunës në familje të përpilohen raporte të detajuara mjekësore, në mënyrë që të ndihmohet procesi hetimor dhe gjyqësor.
Në takim u vlerësua bashkëpunimi ndërmjet institucioneve relevante, duke u theksuar nevoja për angazhim të vazhdueshëm dhe koordinim efikas në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.
Sipas njoftimit, në përfundim të takimit, të gjithë pjesëmarrësit u dakorduan që të vazhdojnë bashkëpunimin dhe të përmbushin detyrat dhe obligimet e tyre me përgjegjësi dhe profesionalizëm, me qëllim që viktimat e dhunës në familje të trajtohen me dinjitet dhe mbrojtje të plotë.