Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në konferencën nacionale “Një komunitet pa varësi”, të organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit në partneritet me Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, Trust Circle Foundation dhe organizatën Labyrinth. Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, konferenca ka për qëllim që të nxisë dialog gjithëpërfshirës ndërmjet institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile, profesionistëve dhe komunitetit, për të adresuar dhe parandaluar përdorimin e substancave narkotike nga fëmijët dhe të rinjtë, duke promovuar qasjen ndërsektoriale, masat parandaluese, dhe mbështetjen për rehabilitim dhe ri-integrim të fëmijëve dhe të rinjve përdorues të substancave narkotike.
Sipas ZKM-së, në fjalën e tij hapëse, kryeministri në detyrë Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës e ka të qartë se lufta kundër varësisë kërkon qasje gjithëpërfshirëse dhe të bashkërenduar, e cila fillon nga parandalimi, vijon me edukimin edhe ndërgjegjësimin, ofron mbështetje psiko-sociale dhe shëndetësore, me qëllim të zvogëlimit të dëmit për ata që marrin drogë dhe garanton rehabilitim e ri-integrim dinjitoz në shoqëri.
“Ne po fuqizojmë Policinë në luftën kundër shpërndarjes së substancave narkotike, ndërkohë që po investojmë në qendra trajtimi dhe programe rehabilitimi për të rinjtë tanë. Një shembull i këtij bashkëpunimi është mbështetja prej afro 39 mijë eurosh, që Ministria e Drejtësisë ka ndarë për organizatën ‘Labirinti’ për vitin 2025, si dhe nga Ministria e Shëndetësisë është rritur përkrahja nga 16 mijë euro në vitin 2023, në 44 mijë euro për vitin 2024, ndërkaq për 30 muajt e ardhshëm janë ndarë afër 60 mijë euro në fushën e edukimit dhe ngritjes së vetëdijes për testim për HIV dhe Hepatit C tek përdoruesit injektues të drogave. Një program i udhëhequr nga peer edukatorët, siç quhet, ku pjesëtarëve të komunitetit iu ofrohet një rol udhëheqës dhe një rol më i fortë mbikëqyrës për komunitetin, po ashtu është pjesë e planit tonë të veprimit që po e zhvillojmë aktualisht. Paralelisht, po investohet për programe parandaluese, edukative dhe shërbime të trajtimit dhe rehabilitimit për përdoruesit e drogave, në mënyrë që të zvogëlohet dëmi shëndetësor dhe social i varësisë. Përmes këtij angazhimi, Kosova synon të ndërtojë një shoqëri më të sigurt dhe më të shëndetshme”, u shpreh Kurti, thuhet në njoftim.





