Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se nga sot, të gjithë prindërit që kanë fëmijët në shkollë nga klasa I-IX, mund të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore.
Nagavci tha se mjetet do të dalin në xhirollogaritë e prindërve nga fillimi i javës së ardhshme.
“Do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa 1 deri në klasën e 5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore. Po ashtu, për herë të parë për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9 të cilët tashmë i kanë të siguruara tekstet mësimore, do të ndahen 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore”, ka thënë Nagavci.
Tutje, Nagavci tha se platforma e aplikimit bashkë me instruksionet do të publikohet sot, ndërsa çmimet e teksteve do të publikohen nga shtëpitë botuese ku lista e teksteve të përzgjedhura nga aktivet profesionale është e gatshme.
“Ftojmë të gjithë prindërit të konsultohen me mësimdhënësit se cilat tekste duhet t’i blejnë”, është shprehur tutje Nagavci.