LAJME

MASHT-i refuzon propozimin e kryetarëve të komunave, kërkohet që orët të mbahen sipas kalendarit të ministrisë

MASHT-i refuzon propozimin e kryetarëve të komunave, kërkohet që orët të mbahen sipas kalendarit të ministrisë
TV Prizreni
TV Prizreni
12 Tetor 2022, 14:37

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka përsëritur qëndrimin e mëhershëm se mësimi nëpër shkolla duhet të mbahet sipas kalendarit të ministrisë, të cilin e kanë publikuar ditë më parë.

Sipas njoftimit, këtë qëndrim ministrja Nagavci e ka ripërsëritur, duke iu përgjigjur kërkesës së kryetarëve të komunave lidhur me formën dhe mënyrën e kompensimit të orëve mësimore të humbura gjatë ditëve të grevës së punonjësve arsimorë në Republikën e Kosovës.

“Gjatë rishikimit të kalendarit shkollor, MASHTI i ka analizuar me kujdes të gjithë faktorët, përfshirë përmbajtjen mësimore për gjysmëvjetorin e parë dhe të dytë, balancimin e periudhave mësimore dhe shmangien e mbingarkesës. Si rezultat i këtyre analizave dhe punës intensive të grupit të profesionistëve, kemi ardhur deri tek vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e kalendarit shkollor.

Sa i përket propozimeve që kompensimi i 22 ditëve të humbura të bëhet duke shtuar nga 5 orë brenda javës për çdo nxënës, ju njoftojmë se praktikisht dhe teknikisht është e pamundur të realizohet një gjë e tillë, si nga aspekti pedagogjik, ashtu edhe ai logjistik. Në këtë mënyrë, do të zgjatej dita e punës në shkolla, gjë që do të shkaktonte çrregullime në shkollat që punojnë në dy ndërrime, si dhe do të shkaktohej një barrë shtesë psikologjike e emocionale për fëmijët.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit pret bashkëpunimin e të gjithë akterëve, përfshirë komunat, institucionet edukativo arsimore, prindërit dhe gjithë palëve tjera në mënyrë që të avancojmë e përmirësojmë rezultatet në arsim. Po ashtu, presim respektimin e kalendarit të rishikuar për vitin shkollor 2022-2023″, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.

Kryetarët e komunave, më 7 tetor, i drejtuan një kërkesë Ministres Nagavci lidhur me formën dhe mënyrën e kompensimit të orëve të humbura gjatë grevës.

Në kërkesën e tyre thuhej se kompensimi i orëve të humbura të mësimit, nuk duhet të bëhet ditëve të pushimeve të rregullta (fundjavave), çka nga vlerësimi praktik që kemi bërë si komuna, do të rezultonte e parealizueshme.

Prandaj, ata kërkuan që kompensimi i orëve të humbura të mësimit për shkak të grevës së përgjithshme në arsim, të bëhet duke i shtuar nga pesë orë pune për çdo nxënës brenda javës në kuptim të ditëve të rregullta të punës, ashtu që do të përballohej më lehtë për të gjithë pjesëmarrësit në proces mësimor si dhe do të garantonte standardet e kërkuara për zhvillimin normal të procesit mësimor, për të cilën janë shprehur pajtues udhëheqësit komunal./FrontOnline

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika