Pas hyrjes në fuqi të masave të reja anti-covid, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka filluar me një apel për qytetarët duke u kërkuar atyre që t’i zbatojnë ato, shkruan GazetaBlic.Ahmeti, në një postim në Facebook, ka thënë se kjo fundjavë po fillon me masa të reja restriktive të Qeverisë për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
“Mirëmëngjesi Prishtinë, Këtë fundjavë po e fillojmë me masat e reja restriktive të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së #covid19.
Andaj, në mënyrë që të parandalojmë përhapjen, ju lusim shumë që të vazhdojmë me kujdes të shtuar zbatimin e rregullave kryesore duke mbajtur distancen, maskën dhe duke pastruar duart sa më shpesh”, ka shkruar Ahmeti.
Si pasojë e rritjes së të infektuarve, Qeveria e Kosovës ka miratuar të enjten masat e reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19.Masat e marra parashohin tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve nëpër komuna: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.Komunat me rrezik të lartë të infeksionit janë ato që kanë mbi 150 persona të infektuar në 100.000 brenda javës. Këtu janë komuna e Prishtinës, Podujevës, Ferizajt, Gjakovës, Gjilanit, Pejës, Mitrovicës, Fushë Kosovës, Shtimes dhe Obliliqit.
Në këto komuna, ndalohen hyrjet dhe daljet e qytetarëve dhe automjeteve nga ora 19:00 deri ne orën 05:00, përveç për nevoja emergjente dhe shëndetësore, duke përjashtuar nga kjo masë personelin shëndetësor, të sigurisë, drejtësisë dhe të ngjashme./GazetaBlic