LAJME

Masakra e Izbicës, Kurti: Nuk do të ndalemi në kërkimin e drejtësisë

Masakra e Izbicës, Kurti: Nuk do të ndalemi në kërkimin e drejtësisë
TV Prizreni
TV Prizreni
28 Mars 2026, 20:10

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar përvjetorin e masakrës së Izbicës, duke e cilësuar atë si një nga plagët më të rënda të luftës në Kosovë.

Kurti rikujtoi ngjarjet e 28 marsit 1999, kur forcat serbe rrethuan fshatin Izbicë të Skenderajt dhe ekzekutuan 147 civilë shqiptarë, pasi më parë i ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët. Ai përmendi edhe rastin tragjik të dy grave të moshuara që u dogjën të gjalla.

Kryeministri theksoi se të mbijetuarit u dëbuan me forcë, ndërsa trupat e viktimave u zhvarrosën dhe u fshehën në varreza masive në Kosovë dhe Serbi, në përpjekje për të fshehur krimet.

Kurti vuri në pah se edhe sot ka familje që presin drejtësi dhe varre që mbeten të zbrazëta.

“Edhe sot, sikurse çdo ditë nderojmë viktimat dhe qëndresën e familjarëve, të cilët me guxim dëshmuan në Tribunalin Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, në proceset kundër Millosheviqit dhe udhëheqësve të tjerë të Serbisë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Në fund, Kurti theksoi se institucionet e Kosovës kanë obligim moral dhe shtetëror për të vazhduar kërkimin e drejtësisë, ndëshkimin e përgjegjësve dhe ruajtjen e dinjitetit të viktimave, duke përmbyllur me homazhe për martirët e Izbicës.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika