Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKSH), Policia e Kosovës (PK), Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucionale për mbrojtjen e të dhënave personale dhe respektimin e të drejtës për privatësi në kontekstin e komunikimit publik dhe raportimit medial.
Udhëheqësit e Institucioneve – Krenare Sogojeva Dermaku, komisionere për Informim dhe Privatësi (AIP), Besim Kelmendi, u.d. i kryeprokurorit të Shtetit (ZKSH), Gazmend Hoxha, drejtor i Përgjithshëm i Policisë, Kushtrim Hodaj, kryeshef ekzekutiv në Inspektoriatin Policor dhe Xhemajl Rexha, kryetar i bordit të AGK-së, janë zotuar për zbatimin e Ligjit Nr. 06/L-082 për mbrojtjen e të dhënave personale, duke theksuar nevojën për respektimin e së drejtës për liri të shprehjes dhe mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve gjatë raportimit medial.
Në komunikatën e AIP thuhet se në kuadër të marrëveshjes, institucionet do të angazhohen për parandalimin e publikimeve të paautorizuara të të dhënave personale në media dhe publik, ndërmarrjen e veprimeve për forcimin e rregullatives së akteve nënligjore të institucioneve për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe rritjen e kapaciteteve profesionale për zyrtarët e institucioneve dhe mediave.







