LAJME

Marrëveshja Kosovë–Shqipëri lehtëson punësimin në të dy vendet

Marrëveshja Kosovë–Shqipëri lehtëson punësimin në të dy vendet
TV Prizreni
TV Prizreni
6 Korrik 2026, 17:33

Qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë do të mund të punojnë në vendin tjetër pa miratim për punësim nga agjencitë përkatëse, ndërsa do të kenë të njëjtat të drejta dhe mbrojtje si punëtorët vendas. Këto janë ndër përfitimet kryesore të Marrëveshjes së Bashkëpunimit për Mobilitetin në Punë, e cila synon të lehtësojë lëvizjen e punëtorëve dhe të forcojë bashkëpunimin mes dy vendeve.

 

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, dhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit e Republikës së Shqipërisë, Delina Ibrahimaj, më 3 korrik nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit për Mobilitetin në Punë.

Marrëveshja synon avancimin e bashkëpunimit në politikat e punësimit, aftësimit profesional dhe lehtësimit të mobilitetit të punëtorëve ndërmjet dy vendeve.

Sipas marrëveshjes, qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë do të mund të punojnë në vendin tjetër pa miratim për punësim nga agjencitë përkatëse, ndërsa punëtorët do të kenë të njëjtat të drejta dhe mbrojtje si punëtorët vendas.

Po ashtu, parashihet zhvillimi i programeve të përbashkëta për aftësim profesional dhe njohje të certifikatave, pjesëmarrja pa pagesë në programe aftësimi profesional, shkëmbimi i praktikave më të mira në punësim dhe aftësim profesional, si dhe shkëmbimi i informacioneve për përmirësimin e shërbimeve për punësim.

Marrëveshja parasheh gjithashtu njohjen e kontributeve pensionale dhe të sigurimeve shoqërore sipas marrëveshjeve në fuqi.

Për zbatimin e saj do të angazhohen Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK) dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive e Republikës së Shqipërisë (AKPA).

Marrëveshja është lidhur për një periudhë katërvjeçare dhe ka hyrë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit të saj, më 3 korrik 2026. 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika