Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka takuar sot homologun e tij turk, Yashar Gyler. Në një postim në Facebook, Maqedonci ka bërë të ditur se gjatë takimit me ministrin Gyler diskutuan mbi situatën gjeopolitike aktuale, avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe rolin strategjik që do të ketë Kosova në rajon pas funksionalizimit të fabrikës së municionit.
“Sot pata nderin të takohem me ministrin Yaşar Güler, një takim produktiv ku diskutuam mbi situatën gjeopolitike aktuale, avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa theksova rëndësinë e mbështetjes që po marrim nga Turqia. Bashkëbisedimi me ministrin Guler ishte jashtëzakonisht pozitiv gjersa shtjelluam mundësi të reja bashkëpunimi me qëllim ngritjen e kapaciteteve të reja të ushtrisë së Kosovës. E veçanta e këtij takimi ishte diskutimi mbi rolin strategjik që do të ketë Kosova në rajon pas funksionalizimit të fabrikës së municionit”, ka shkruar Maqedonci.





