Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se me konceptin e ri për furnizim me ushqim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, i janë kursyer buxhetit të shtetit 9 milionë euro.
Në një intervistë për “Ekonomia Online”, Maqedonci tha se koncepti i ri është krijuar për të garantuar furnizim të sigurt dhe me kualitet, ndërsa ushqimi tash përgatitet nga profesionistët brenda FSK-së, që janë rekrutuar gjatë muajit dhjetor.
Sipas ministrit, ky sistem ka ulur ndjeshëm kostot. Ai shpjegoi se një kontratë që ishte planifikuar të nënshkruhej me një vlerë prej 13 milionë euro, tani është zëvendësuar me një sistem që e realizon këtë shërbim për vetëm 4 milionë euro, duke kursyer 9 milionë euro nga buxheti i shtetit.
“Me konceptin e ri të shërbimit me ushqim, ne kemi krijuar një vetëqëndrueshmëri. Ne tani shërbejmë ushqimin me profesionistët tanë brenda FSK-së të cilët i kemi rekrutuar dhe rekrutimi i tyre ka përfunduar pikërisht më 16 dhjetor. Kurse, artikujt ushqimor i sigurojmë përmes Autoritetit Qendror të Prokurimit. Në këtë mënyrë ne garantojmë një furnizimin dhe shërbim me ushqim të sigurt në FSK, garantojmë një çmim shumë më të ulët, një kosto shumë më të ulët të shërbimit me ushqim. Është për t’u theksuar që kontrata që ishte planifikuar të nënshkruhej kishte vlerën 13 milionë, kurse pas një analize që kemi bërë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës na del që përmes këtij koncepti të ri që e kemi futur tani brenda FSK-së, gjithë këtë shërbim e kryejmë vetëm me 4 milionë, që i bie që të kursejmë 9 milionë nga buxhetit i shtetit”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu theksoi se ky model do të sjellë më shumë siguri dhe kualitet, duke i garantuar FSK-së një furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt me ushqim, veçanërisht në situata të ndryshme operacionale, ku Ushtria mund të përballet me rreziqe të mungesës së ushqimit kur varej nga kompanitë private.“
Ai ka thënë se ka pasur shumë spekulime e dezinformata lidhur me mungesën e ushqimit në FSK. Ai ka përmendur edhe letrën e komandantit të FSK-së, Bashkim Jashari. Për këtë letër ai tha se është keqinterpretuar.
“Ka pasur një letër të komandantit e cila është keqinterpretuar me qëllim, ku ka shfaqur shqetësimin për mundësinë për të mbetur pa ushqim, e letra është publikuar dy ditë pas afatit kur e ka përcaktuar komandanti rrezikun për mbetje pa ushqim, kurse në ndërkohë vetëm patëm rregulluar çështjen e ushqimit”, ka Maqedonci për EO.