Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka mbajtur të martën, diskutim publik për draft-strategjinë kombëtare dhe planin e veprimit për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronarë 2022-2028 e cila synon zvogëlimin e numrit të qenve endacakë në rrugë, ndalimin e braktisjes së qenve nga pronarët e tyre si dhe parandalon shitjen e qenve në mënyrë të pakontrolluar.
Zëvendëssekretarja në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Venera Qerkini tha se gjendja me qenë endacakë në Kosovë është sfiduese dhe ka shkaktuar pasiguri te qytetarët.
Sipas saj, kjo strategji me një afat 7-vjeçar synon zvogëlimin e qenve endacakë në rrugë, parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive etj.
“Strategjia si shtojcë ka edhe planin e veprimit që do të zgjas 3 vjet, por që pas përfundimit me vendim të MAPL-së do të zgjatet deri në përfundimin e afatit kohor sa është edhe strategjia. Strategjia ka një afat 7-vjeçar me qëllim që komunave t’u jepet një hapësirë e mjaftueshme për të realizuar planin e veprimit, ku pastaj qeveria e merr si obligim që të bëhet edhe analiza e buxhetit shtesë për realizimin e këtij aktivitetit ë rëndësishëm. Qëllimi i kësaj strategjie është që të bëhet parandalimi i përhapjes së sëmundjeve infektive dhe zoonetike dhe zvogëlimin e qenve endacakë në rrugë, të parandalohet braktisja e qenve nga pronarët e tyre, ndalimi i mashtrimit dhe shitjes së pakontrolluar të qenve”, tha ajo.
Kryesuesja e grupit punues të kësaj strategjie, Teuta Fazliu u shpreh se periudha 7-vjeçare e kësaj strategjie do t’u japë mundësi komunave që t’i zhvillojnë aktivitetet që dalin nga kjo strategji për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronarë.
Ndërsa Sadik Heta, drejtor i Drejtorisë së Shëndetit të Mirëqenies së Kafshëve në AUV tha se komponentët kryesorë në menaxhim të qenve endacakë janë zhvillimi i kornizës ligjore, edukimi i pronarëve të qenve, krijimi i sistemit për identifikimin dhe kontrollin e tyre si dhe krijimi i strehimoreve për qentë.
Heta nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë tha se burimi kryesor i qenve endacakë është braktisja e qenve nga pronarët, shitja dhe importi i qenve.
“Ndikimi i strategjisë në menaxhim të popullatës së qenve është zvogëlimi i qenve në rrugë, është një prej objektivave kryesore të kësaj strategjie, përmirësimi i mirëqenies sociale, zvogëlimi i rreziqeve për shëndetin dhe sigurinë publike, përmirësimi i kushteve të strehimoreve siç e dini baza jonë ligjore e jep vetëm qendra për trajtim të përkohshëm. Jemi duke hartuar ligjin që do të krijojë edhe strehimore të qenve si dhe zvogëlimin e efekteve negative me kafshët e egra dhe blegtorale dhe kjo ka të bëjë me çështjet e përhapjes së sëmundjes së tërbimit për arsye se qentë janë bartës së sëmundjes së tërbimit dhe tek kafshët tjera. I kemi 5 objektiva: zhvillimi i një mjedisi të përshtatshëm për menaxhimin e qenve, zhvillimi i një kornize gjithëpërfshirëse ligjore në menaxhim e popullsisë të qenve, rritja e interesimit publik dhe promovimi i pronësisë së përgjegjshme, përkujdesja mjekësore veterinare si dhe përmirësimi i shërbimeve komunale në menaxhim të popullsisë së qenve”, tha ai. /ksp/
